Katër radio franceze kanë vendosur të bojkotojnë transmetimin e drejtpërdrejtë nga stadiumi të ndeshjes Shqipëri-Francë për shkak të tarifave që u ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Radiot Europe 1, Radio France, RFI dhe RMC njoftuan se do ta përcillnin ndeshjen nga vendi i tyre dhe jo nga Stadiumi Kombëtar në Tiranë, kjo pasi javën e shkuar FSHF u kishte kërkuar pagesa shtesë për lidhjet me sistemin e transmetimit.
Europe 1 tha se kërkesa e FSHF binte ndesh me praktikat e vendosura nga UEFA për transmetimet. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe 3 radiot e tjera dhe nuk kanë rënë dakord me tarifat e kërkuara.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, 4 radiot i kishin kërkuar Federatës Franceze të Futbollit që të ndërmjetësonte për zgjidhjen e situatës. Ato i kishin lënë kohë FSHF-së deri pasditen e së premtes, por që FSHF thuhet se nuk u është përgjigjur.
Shqipëri-Francë, e cila luhet mbrëmjen e sotme, përmbyll kualifikueset e Euro-2020. Franca është e kualifikuar ndërsa Shqipëria i ka mbyllur llogaritë me kohë.
Megjithatë përballja me kampionët e Botës ka vlerë për faktin se përuron Stadiumin e ri Kombëtar, për të cilin ka pasur interesim të madh nga sportdashësit.