Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli konfirmoi të hënën se Komiteti Teknik po diskuton administrimin e vaksinave në moshat mbi 12 vjeç:
“Mbi 12 vjeç është provuar vaksinimi, është diçka që ekspertët tanë të Komitetit të Vaksinimit janë duke e diskutuar dhe do të ketë një vendim shumë shpejt”.
Ajo foli edhe për mundësinë e një doze të tretë përforcuese.
“Do të merret një vendim nëse do të ulet mosha e vaksinimit, si dhe do të merret një vendim edhe për dozën e tretë,” pohoi Rakacolli në emisionin ‘5 Pyetje nga Babaramo’.
Ajo po ashtu bëri me dije se nuk do të ketë më një izolim të përgjithshëm në vend dhe se shkollat do të qëndrojnë fizikisht të hapura.
Rakacolli tha se numri i shtrimeve kishte rënë për shkak të suksesit të vaksinimit masiv dhe se pjesa më e madhe e personave të infektuar janë të pavaksinuar.
Ajo e quajti pandeminë, një “pandemi të të pavaksinuarve”, një deklaratë e debatueshme në një pikë ku fushata e vaksinimit ka ecur me ritme të ngadalta krahasuar me vendet e tjera.
Ndërkohë që, sipas të dhënave të Our World in data, projekt i Universitetit të Okfordit, shumica e vendeve kanë vaksinuar mbi 70% të popullsisë së tyre, do të duhen muaj që vendi jonë t’i kap ato.
Sipas të dhënave, Shqipëria kishte administruar të paktën 1,5 milion doza vaksinash ose nën 30% të popullsisë deri më 3 shtator. Vetëm 23.8 % ishin vaksinuar plotësisht me dy doza.
Ndërkohë, sipas Reuters infeksionet COVID-19 në vend po rriten me një mesatare prej 880 infeksionesh të reja ditore. Kjo përbën 79% të numrit më të lartë të infektimeve të raportuar më 11 shkurt.