Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se 369 mjekë dhe infermierë kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19.
Në një postim në Facebook, Rama tha se javë pas jave procesi i vaksinimit do të rritet gradualisht po ashtu edhe rritmi i këtij procesi:
“369 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës me COVID19 janë sot më të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm, pas kryerjes së dozës së parë të vaksinës antiCOVID në Qendrën e Vaksinimit në Air Albania Stadium, në 6 ditët e para të vaksinimit, teksa procesi do të vijojë edhe sot, pa u ndalur”.
Vaksinimi në Shqipëri është shoqëruar me debate në radhët e politikës.
Kryeministri Edi Rama është kritikuar nga opozita se nuk tregon vendin i cili solli vaksinat në Shqipëri.
Rama ka kritikuar disa herë Bashkimin Europian duke thënë se vendimi i disa vendeve të BE është egoistja i takon shpërndarjes së vaksinave.
Këto deklarata sollën edhe reagimin e ndërkombëtarëve në vendin tonë.
Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha i dënoi deklaratat e Ramës ndaj BE.
Në fillim të vitit Shqipëria siguroi 500 mijë doza të vaksinës anti-Covid prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.
Më 11 janar nisi dhe procesi i vaksinimit në vendin tonë me 975 doza të cilat iu dhuruan Shqipërisë nga një shtet anonim.