Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit të emigracionit ironizoi opozitën, duke përshkruar kryetarët e partive aleate. Ai e quajti koalicionin opozitar “koalicioni KÇK” dhe planin e opozitës ‘Shqipëria humb, koalicioni fiton”.
“Ne nuk kemi program elektoral të ngjashëm me një menu dëshirash, siç ka PD me koalicionin KÇK. Ne kemi plan konkret objektivash. Ne do të themi atë që bëjmë dhe do të bëjmë atë që themi. Ne nuk jemi një koalicion KÇK që e ka të shkruar devizën në ballë të drejtuesve ‘Shqipëria humb, koalicioni fiton’”, u shpreh Rama për programin e tij elektoral.
Ndërsa për kryetarët e partive aleate të PD-së, Rama i përshkroi si më poshtë:
Kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, Rama e akuzoi se po lufton të mbajë “Lulin” e lidhur “për hesap të Ilirit dhe Saliut, për të kapur drejtësinë me duart e Lulit”.
Ndërsa për Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, Rama u shpreh se ai po përpiqet të humbë më pak se sa zgjedhjet e 2017:
“Lufton të kapë një humbje, që të jetë një fitore më e madhe se humbja e herës së shkuar”.
Kryetarin e PAA-së Agron Duka, parti në koalicion me PD-në, Rama e quajti si i vetmi kryetar partie që “do të mbahet mend pas 1912, që nuk e nxori asnjë ditë nga garazhi partinë e tij Agrare, që tja justifikon emrin vetëm me faktin që ai vetë jeton me taxhinë e SHQUP, në pritje që Luli ta ribëjë pakëz ministër Bujqësie, meqë Agroni si gjeli i Agrares, përfaqëson aq shumë gjela e pula”.
Fatmir Mediun, Rama e përshkroi si personin “që vulën e PR të Sabri Godos, e mban në xhep si certifikatë besnikërie ndaj pronarëve, por në fakt të vetmen certifikatë prone që ka arritur të sigurojë për ta është hipoteka e vendit të tij si deputet i përjetshëm në pronën SHQUP”.
Ndërsa Dashamir Shehin, Rama e quajti një person qe “ka 100 vjet që i jep të djathtës frymën liberale të rakisë, që flet më lirshëm se vetë autori, i cili arsyen më të fortë për të vazhduar të jetë deputet ka kafenenë e Parlamentit, ku ka kaluar më shumë kohë se të gjitha banakieret e marra së bashku dhe ka zbrazur më shumë uiski se gjithë zona e Partizanit të panjohur, që nga koha e rënies së komunizmit”.
“Vangjel Dule, i të drejtave dhe lirive të njeriut, që në televizor është balli i lartë i minoritetit grek, ndërsa në KÇK është fundshpina e ulët e sekserit të Çamërisë”, u shpreh Rama për kryetarin e PBDNJ-së.
Ndërsa Shpëtim Idrizin, Rama e akuzoi se e do “deputetllëkun për të shitur vende pëllumbash në zyrat e shtetit”.
“Tym Idrizi i doganave, që televizionin e ka për luftë gjakatare me grekun, ndërsa deputetllëkun për të shitur vende pëllumbash në zyrat e shtetit”.
Ai gjithashtu ironizoi edhe Nard Ndokën, duke e quajtur:
“Të vetmin profil filozofik në atë grumbullim, që as humoristi me humorin më të zi nuk do ja servirte një populli, duke i shpikur kaq shumë në numër”.
Në fund Rama ironizoi me thirrjen e opozitës se nëse vijnë ata në pushtet do të ndalojë emigrimi masiv i rinisë, duke thënë se:
“Votoni këta që rinia të mos ikë në Gjermani, madje që rinia gjermane të turret në Jalë, të bëjë qejf me tiganin e LSI, të argëtohet me Dashin e rakisë, me pulat dhe vezët e Gonit, me sofizmat e Nardit dhe të kalojë më tej te Idrizi i Çamërisë dhe Dulja e Greqisë.
“Mund të duket shaka ose cinike, por mos harroni që në atë koalicion është dhe një Xhaferr nga Durrësi, që tha se po më votuat, do ju ndryshoj cilësinë e diellit”, përfundoi Rama.