Kryeministri Edi Rama akuzoi tërthorazi PD-në dhe LSI-në për hartimin e regjistrit të të dhënave personale të 910 mijë votuesve të Tiranës, të publikuar në media javën e kaluar.
“Pse nuk duan t’i dorëzojnë databaz-in. Ti cojnë usb-ërat tek organet e hetimit. Nuk i cojnë sepse ato që dalin rrugëve janë të dhëna të gatuara tjetërkund”, u shpreh Rama në një takim elektoral në njësinë 5, në Tiranë, të martën.
Ai u shpreh se publikimi i databazës u bë nga “Ilir Meta dhe me Saliu e Lulin në vazhdën e skenarëve destabilizues”. Rama e krahasoi publikimin e databazës njësoj me situatën e krijuar në aeroportin “Nënë Tereza”:
“Pasi morrën peng aeroportin e Tiranës. Ai që kërkon të marrë peng mendjen e njerëzve. Ne nuk ndjekim njerëzit, por Ilir Metën në çdo hap të mendjes së tij”.
Rama akuzoi se numrat e kartave të identitetit kanë dalë nga shteti dhe mund të blihen në rrjet, që prej kohës së Bujar Nishanit:
“Ne nuk kemi numrat e kartave të identitetit. Ato kanë dalë rrugëve në kohën e Bujar Nishanit. Ndaj ju them të gjithëve atyre që ndihen të sikletosur pse ju ka dalë numri. Cili numër? Atë që e lini kudo dhe ajo kartë nuk ka asgjë brenda”.
Kryeministri premtoi se do të bëjë një kartë të re indentiteti:
“Nuk është karta që ne do të kemi në të ardhmen, siç e ka bota moderne. Që do të ketë të dhëna për shëndetin, taksa, shëndetin e çdo gjë”.