Kryeministri Edi Rama nuk është më në listën e folësve dhe nuk do marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik të Amerikave. Ky lajm u konfirmua për Exit.al nga organizatorët e Forumit.
Kryeministri kishte planifikuar, fillimisht, të merrte pjesë në këtë aktivitet, pjesë e edicionit të 13-të të Forumit të përvitshëm Botëror të Torontos, i cili do të zhvillohet më 4-6 shtator, por sipas një zëdhënësi të aktivitetit ai nuk do të marrë pjesë.
Konfirmimi për anullimin e pjesëmarrjes së tij erdhi pesë ditë pasi një grup sipërmarrësish dhe intelektualësh shqiptaro-kanedazë i dërguan një letër Presidentit të Forumit Global të Torontos, Nicholas Remillard, ku i shprehën mospëlqimin e tyre për ftesën ndaj kryeministrit shqiptar.
Në letër argumentohej se si Rama ka “degraduar zhvillimin e demokracisë.. [dhe] e ka zhytur ekonominë dhe gjithë vendin e tij në korrupsion dhe informalitet”.
Ata e quajtën ftesën ndaj Kryeminsitrit për të folur në aktivitet një “xhest të dyshimtë inkurajues” ndaj kryeministrit dhe një “gabim që bie ndesh me parimet dhe vlerat” e vetë Forumit.
18 firmëtarët e letrës janë sipërmarrës, mësuesë, financierë, gazetarë, drejtues shoqatave civile, avokatë, artistë, shkrimtarë, si dhe ish-politikanë socialistë.
Çështje të tjera të ngritura në letër ishin “rrënimi i plotë” i ekonomisë shqiptare, lulëzimi i krimit të organizuar, i cili ka korruptuar çdo nivel të qeverisjes, tenderat dhe PPP-të mashtruese dhe grabitqare dhe mungesën e investitorëve të huaj si pasojë e “administratës së korruptuar dhe mungesës së sistemit të drejtësisë”.
Letra përshkruan blerjen e votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, përmes blerjes së votave dhe frikësimit të votuesve në bashkëpunim mes kriminelëve, politikanëve dhe zyrtarëve publikë.
Në të theksohet gjithashtu keqpërdorimi i reformës në drejtësi nga qeveria:
Zoti Rama drejton një nga regjimet më pak demokratike të periudhës pas-komuniste në Shqipëri—dhe ka minuar dhe abuzuar institucionet dhe procedurat demokratike në çdo hap. Me pretekstin e reformës në drejtësi, Zoti Rama ka shkatërruar sistemin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve duke e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.
Në fund, autorët e letrës paralajmërojnë:
“Shqipëria është si një paralajmërim se çfarë mund të ndodhë kur, në emër të stabilitetit, shoqëritë perëndimore tolerojnë kapjen e institucioneve nga një shumicë politike e cila lejohet të qeverisë pa asnjë kontroll.”
Të enjten më 29 gusht, u mësua se Rama nuk do të merrte më pjesë në aktivitet, por njoftimi i pjesëmarrjes së tij shfaqet ende në kërkimin në Google, duke lënë të kuptosh se heqja është bërë vetëm së fundmi.
Exit.al kontaktoi organizatorët e aktivitetit në lidhje me pjesëmarrjen dhe mbajtjen e një fjalimi nga Kryeministri Edi Rama. Një zëdhënës i Forumit u përgjigj:
“Kryeministri i Shqipërisë e ka anulluar pjesmarrjen e tij në Forumin Global të Torontos. Ai nuk do të marrë më pjesë në këtë aktivitet”.
Kur u pyet mbi përmbajtjen e letrës dhe nëse kjo ishte arsyeja për anullimin e vizitës, zëdhënësi nuk pranoi të komentonte.