Rama betohet të na shpëtojë nga qeveria e buburrecëve

Nga Ergys Mërtiri
Rama betohet të na shpëtojë nga qeveria e buburrecëve

Me bindjen se uji buron i kulluar lart, por turbullohet poshtë nga lopët e katundit, Edi Rama është duke kërkuar grupe armiqësore për t’u ngarkuar fajin për gjendjen dëshpëruese ku e ka zhytur vendin. Për të disatën herë, ai ka nisur aksione për shkarkime kolektive drejtorësh e funksionarësh, të cilët i akuzon si të paaftë, të korruptuar dhe të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve.

Të tilla aksione gjoja vetëpastruese u shfaqën qartë gjatë protestës së studentëve, ku Kryeministri zbrazi një betoniere me baltë e kërcënime ndaj dekanëve e rektorëve, të cilët, sipas tij, ishin shkaku i gjendjes së universiteteve, pavarësisht se në të shumtën e rasteve ata kanë qenë vetëm partnerë të qeverisë në politikat e saj për arsimin e lartë. Pas tyre, rradhën e patën shkarkimet në diplomaci, pastaj në tatime, pastaj të gjithë drejtuesit “meshkuj”.

Buburrecët e Ramës si mbeturinat mikroborgjeze të Hoxhës

Në valën e një fushate të tillë për shkarkimin e fajit, Kryeministri Rama u shpreh pak ditë më parë me fjalë ofenduese ndaj punonjësve të qeverisë. Ai i quajti ata buburrecë dhe u shpreh se ai vetë i mban nën vëzhgim ata nga lart, duke qëndruar në këmbë mbi ta dhe me sisteme administrative që do t’i mpijnë e, madje, do t’i shtypin ata.

Ngjashmëria me gjuhën e Enver Hoxhës nuk është e rastësishme. Grupet armiqësore janë vazhdimisht të nevojshme për një qeverisje me pushtet thuajse të plotë dhe me pakënaqësi të lartë në popull.

Edhe kjo qeveri duhet të shpikë koka turku për të mbijetuar, njëlloj si gjatë diktaturës kur partia eleminonte jo vetëm agjitatorë e sabotatorë, por edhe shtresa burokratësh të damkosur si me orekse mikroborgjeze, indiferentë ndaj nevojave të popullit.

Përveç nevojës së pashpresë propagandistike për të mbuluar imazhin e degraduar të qeverisë me aksione të tilla, gjuha e Ramës tregon edhe se si ai e kupton në të vërtetë qeverisjen.

Ata që ai i quan buburrecë janë në fakt njerëzit e tij, të cilët i solli në drejtimin e institucioneve të qeverisë, duke nxjerrë nga puna mijëra të tjerë. Sot, pas 6 vjetësh, është vonë për t’u kujtuar mbi abuzimet e tyre, dhe është e pabesueshme të hiqesh si i paditur e i pafaj.

Buburrecët si domosdoshmëri për kultin e individit të Ramës

Buburreci duket se është lloji i preferuar i vartësit që Edi Rama kërkon. Një udhëheqës me mendësi totalitare si ai, nuk pranon dhe nuk mund të qeverisë me profesionistë të përgjegjshëm e kurajozë, që punojnë me korrektesë e dinjitet. Atij i duhen vetëm skllevër të nënshtruar, të gatshëm të shkelen nga shefi.

Natyra e pushtetit të Ramës kërkon doemos njerëz të vegjël e anonimë, të cilët të gjithë bashkë ta thellojnë kontrastin mes vogëlsisë së tyre dhe madhështisë së shefit. Vetëm plehu ku vërdallisen këta buburrecë mund të ushqejë kultin e individit, ku lartësohet figura e Ramës, që i mbikëqyr të gjithë që sipër.

Mjafton t’i hedhësh një vështrim qeverisë dhe e kupton modelin e zyrtarëve që Kryeministri Rama preferon. Pas shkarkimit të gjysmës së ministrave në fillim të vitit, ai e mbushi qeverinë me individë jopolitikë, burokratë anonimë të bindur e të nënshtruar, që vetëm zbatojnë me përpikmëri gjithçka iu kërkohet.

Rama i largoi të gjithë ata që kishin krijuar karriera në politikë dhe kishin arritur një shkallë ndikimi dhe lidhjesh brenda partisë. Në vend të tyre ai solli emra e fytyra të panjohura, pa ndikim dhe pa karrierë politike – madje pjesa dërrmuese nuk ishin as anëtarë të Partisë Socialiste.

Burokrati është, në fakt, modeli më i mirë i zyrtarit për këtë profil qeverisjeje. Ai është i bindur, i devotshëm, i aftë të bëjë çdo krim që i kërkohet, i gatshëm të shkelë mbi dinjitetin e vet dhe gojëkyçur për të kërkuar të drejta dhe privilegje. Këta janë njerëzit e duhur për drejtues me vullnetin për të arritur pushtet absolut.

Buburrecët si dëshmi e sadizmit në qeverisjen e Ramës

Metafora e buburrecit nuk është thjesht pjesë e një retorike fyese, nga ato që kryeministri përdor rëndom për të përçmuar këdo që ka nën vete. Kjo metaforë shfaq qartë karakterin e politikanit Edi Rama, i cili, si çdo udhëheqës me prirje totalitare, kërkon njerëz për t’i shtypur, jo për t’u ofruar përgjegjësi.

Nevoja për të sunduar është shtysa kryesore e tij dhe jo vullneti për të bërë gjëra. Pushteti është qëllim në vetvete dhe jo instrument për të sjellë zhvillim. Suksesi i këtij lloji qeverisjeje matet vetëm nga sasia e pushtetit të akumuluar dhe jo nga ajo se çfarë bën me të. Pushteti bëhet vetëm një shprehje e forcës së superioritetit të atij që e zotëron.

Erik Fromi vë në pah kuptimin e dyfishtë të termit pushtet: si mjet për të sunduar të tjerët dhe si mundësi për të bërë diçka.

Sipas kuptimit të dytë, pushteti është zotërim, aftësia për të bërë gjëra. Mungesa e pushtetit do të thotë paaftësi. Pra, një person i aftë për të realizuar mundësitë e tij mbi bazë të lirisë dhe integritetit të unit të tij, nuk ka nevojë të sundojë njerëz.

Përkundrazi, kur njeriu është i paaftë të realizojë vetveten, ai ka nevojë të sundojë të tjerët, dhe nga kjo merr edhe kënaqësi. Pushteti kthehet në qëllim në vetvete dhe nevoja për pushtet degjeneron në impulse sadiste. Sipas Fromit, në thelb të impulsit sadist qëndron pikërisht shtysa për të sunduar plotësisht të tjerët, për t’i bërë ata objekte të pafuqishme të vullnetit personal, për të bërë ç’të duash me ta.

Nga kjo pikëpamje, nevoja e Ramës për pushtet absolut është, ndër të tjera, edhe pasojë e dështimit të plotë në qeverisje. Suksesi në akumulim pushteti kompenson dështimin në përmirësimin e realitetit. Ndaj edhe pushteti i Ramës ka ardhur duke u rritur me përkeqësimin e vazhdueshëm të qeverisjes së tij.

Kështu që, ndonëse i përçmon, buburrecët janë të rëndësishëm për Ramën. Ata i mundësojnë kryeministrit të ushtrojë sadizmin e tij si sundues. Ashtu siç sadisti ka varësi ndaj objektit të sadizmit, po ashtu edhe Rama nuk bën dot pa këta buburrecë të tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>