Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave se qeveria ka shitur detin Jon tek Greqia, duke e mohuar diçka të tillë dhe i ka cilësuar ata si “maskarenj” dhe “qenie të ulëta”.
Të dielën në një bashkëbisedim në Sarandë, Rama tha se nuk ka hapësirë për shtrirje me 12 milje të Greqisë në Shqipëri dhe për “këtë arsye është vendosur të gjendet një zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”.
Ai e ka cilësuar si absurde akuzën e shitjes së detit dhe shtoi se “12 miljet janë një e drejtë e gjithsecilit shtet. Edhe Konventa e thotë shumë qartë, që kjo e drejtë ushtrohet aty ku është mundësia fizike. Asnjë shtet nuk mund ta ushtrojë këtë të drejtë arbitrarisht, nuk e bën dot”.
Ai tha se Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin 1990 me 6 milje.
Kryeministri tha se ndihet krenar që Shqipëria ka arritur një gjuhë komunikimi me Greqinë dhe që sipas tij marrëdhëniet janë “absolutisht shumë pozitive”.
Më 5 Janar Rama bëri një bisedë telefonikë me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias.
Në 25 dhjetor, Këshilli i Shtetit grek miratoi dekretin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje.
Kjo i jep të drejtë shtetit grek të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.
Ky vendim vjen pas dy muajsh ku u njoftua se marrëveshja e detit mes Shqipërisë e Greqisë do të zgjidhej nga drejtësia ndërkombëtare.
Më 20 tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.