Kryeministri Rama ftoi sot sërish kryetarin e PD-së Lulzim Basha për dialog. Pavarësisht se kryeministri tha se është i gatshëm të takohet me Zotin Basha kurdo, kudo dhe si do që të dojë opozita, ai theksoi se kërkesat kryesore të opozitës për qeveri teknike dhe shtryrje të datës së zgjedhjeve janë të papranueshme.
“Zgjedhjet nuk ke për ti ndaluar kurrë as ti [Lulzim Basha] as ndonjë tjetër. Edhe këtë qeveri nuk do e rrëzosh ti, por vendos populli në 18 qershor. Dialogu është e vetmja rrugë,” theksoi Zoti Rama, pa shpjeguar se për çfarë mund të diskutohet në një takim mes tij dhe kreut të opozitës.
Më pas ai vazhdoi retorikën e zakonshme propagandistike ku shumica është pro reformës në drejtësi dhe opozita kundra dhe kriza politike në vend është një krizë artificiale .
Menjëherë ftesës për dialog, iu përgjigj Kryetari i PD-së Lulzim Basha. Ai deklaroi se Partia Demokratike ka një javë që e ka caktuar negociatorin e saj, e po pret që dhe Kryeministri Rama të bëjë të njëjtën gjë.
Por Zoti Basha theksoi se dialogu ka vlerë për sa kohë bëhet për të ndarë krimin dhe drogën nga pushteti.
“Bëhu burrë negocio. Kjo kërkon kurajo nga ty, të ndahesh nga krimi. Të ndajmë qeverinë nga krimi, në mënyrë që një qeveri teknike t’i japim shqiptarëve të drejtën sovrane që ua ke hequr kaq herë.”