Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi sot një aktivitet të risive teknologjike për të theksuar se ai do të vazhdojë të mbetet drejtuesi i qeverisë.
Në një video të shpërndarë në Facebook, Zoti Rama promovon risinë e drejtimit automatik të automjeteve, që u prezantua sot nga një kompani e komunikacionit në një qendër tregtare jashtë Tiranës.
Gjatë xhiros me automjetin e drejtuar nga pilot automatik Kryeministri tha:
Sa mirë do të ishte sikur të kishte edhe makina e qeverisë një drejtim automatik, por për këtë nuk ka asnjë alternativë […] për drejtimin e qeverisë, timoni mbetem unë. […] mbetet si të thuash njeriu, por për këtë periudhë njeriu jam unë. Ndërsa për makinat po vjen kohë tjetër dhe po vjen shumë shpejt, ashtu sikundër frenimi automatik do të bëjë të mundur shmangien e shumë aksidente dhe gjithë këta çunat e shpejtë do ta kenë të pamundur të bëjnë parakalime jashtë rregullit.
Deklarata e Kryeministrit vjen në një kohë kur prej opozitës ka patur vazhdimisht kërkesa që ai të dorëhiqet dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.