Rama e Haradinaj replika për samitin dhe mini-Shengenin e Ballkanit

Nga Redaksia
Rama e Haradinaj replika për samitin dhe mini-Shengenin e Ballkanit

Kryeministri Rama dhe kryeministri i Kosovës Haradinaj shkëmbyen sot replika në distancë për samitin e mini-Shengenit të Ballkanit, zhvilluar sot në Tiranë, ku liderët e Kosovës nuk morën pjesë.

Gjatë konferencës për shtyp pas samitit, Kryeministri Rama kritikoi ashpër vendimin e Kosovës për të mos marrë pjesë në samit.

Zoti Rama u shpreh se vetëpërjashtimi i Kosovës është i dëmshëm vetëm për Kosovë, pasi pjesa tjetër e rajonit ka vendosur të bashkëpunojë për një treg të përbashkët.

Kryeministri Haradinaj iu përgjigj menjëherë kritikave të Ramës duke deklaruar se samiti i sotëm në Tiranë kishte për qëllim vetëm ushtrimin e presionit ndaj Kosovës për të hequr taksën 100 për qind ndaj Serbisë:

“Nuk kemi nevojë për një mini-Shengen me kryeqytet Serbinë. Krejt kjo që bëhet është me na heq taksën, është një by pass për të heq taksën.”

Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj Zotit Haradinaj duke e ofenduar si ‘të paditur’ e ‘gënjeshtar’:

“Një ndërhyrje prej një të padituri klasik që merret llokum e më pas mbllaqitet mediatikisht. Si bëhet kjo?! 

Nuk ka asnjë nyje detyruese kjo marrëveshje.Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri, gënjen nga padija  apo qëllimisht nuk kam arritur ta zbuloj as nuk kam ndërmend ta zbuloj por e vërteta është se ai është gënjeshtar.

Nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka thjesht një qëllim të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve.”

Menjëherë kryeministri Haradinaj iu përgjigj Ramës duke thënë se nëse ‘Ramës i dhimbsen kosovarët t’ja heqë atë taksën e [Rrugës së] Kukësit’.

Ai theksoi se nuk mund të ulet në bisedime me Serbinë e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe mohon masakrat ndaj shqiptarëve të Kosovës:

“Unë e kam përsëritur disa herë, Edi Rama është vëllai im, është shqiptar. Të majtët dhe të djathtët në Shqipërinë janë motrat dhe vëllezërit e mi.

Kur të na njohë Serbia ne i hapim rrugën për takime bilaterale apo trelaterale, por me qëndrime mohuese të Serbisë deri në mohim të masakrave si ajo e Recakut nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i themi ‘rruga e mbarë’ pa neve.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>