Kryeministri Rama dhe kryeministri maqedonas Zaev janë të shqetësuar se vendimi i Komisionit Europian për të mos hapur negociatat me vendet e tyre mund të dëmtojë reformat e bëra deri tani.
Në një intervistë për gazetaren Valerie Hopkins për gazetën britanike ‘The Financial Times’, kryeministri Rama tha se vendimi për të mos hapur negociatat ka shkaktuar ‘një shok të rëndë psikologjik në vend’ dhe ka ‘dëmtuar besueshmërinë e BE-së në rajon’:
“Ne jemi ndarë dy herë në mënyrë brutale nga Europa, herën e parë, për pesë shekuj nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe më pas për gjysmë shekulli nën regjimin brutal komunist. Askush nuk mund të jetojë me idenë se mund të ketë një herë të tretë dhe se këtë herë mund të jetë Europa që na ndan brutalisht nga vetvetja.”
Ndërsa Kryeministri Zaev tha se i frikësohej një rikthimi në të kaluarën e keqe të vendit të tij, etnikisht të ndarë e me rritje të retorikës nacionaliste:
“Nëse ka mjaftueshëm retorikë nacionaliste, veprime radikale dhe fjalime në Maqedoninë e e Veriut, kjo do u japë politikanëve grekë argumente për të përdorur të njëjtën lloj retorike. Kjo mund të sjellë ndërmarrjen e hapave konkretë nga të gjithë, gjë që nuk do të jetë në të mirë të rajonit ose vendit tim.”
Rama dhe Zaev deklaruan se ata i kuptonin shqetësimet e shteteve anëtare të BE-së, se ata i kishin bllokuan negociatat sepse ata duan të ndjekin reforma në union dhe politikat e saj të zgjerimit.
Por, ata të dy ranë dakord se një anëtarësim i mundshëm do të ishte paktën një dekadë larg, dhe se vendet e tyre dhe vetë BE-ja mund të vazhdonin ndërkohë reformat e tyre.
Judy Dempsey, pjesë e programit Carnegie Europe, deklaroi se besueshmëria e BE-së ishte dëmtuar sepse liderëve të Ballkanit Perëndimor u ishte thënë që në 2003 se, nëse ata do të plotësonin kriteret e BE-së, ata do të pranoheshin, dhe tani që të paktën Shkupi e ka bërë këtë, vendi u refuzua sërish, me arsyetimin se BE-ja si fillim duhet të reformohet.
“Premtimet nuk u mbajtën. Tani Ballkani Perëndimor lehtësisht mund të ndikohet nga Kina ose Rusia”, deklaroi ajo.
Kryeministri Zaev ka shprehur shqetësimin e tij për përpjekjet për të mbushur boshllëkun.
“Ky vendim u krijon hapësirë forcave të treta, që nuk janë shumë të dobishme, që nuk na ofrojnë demokracinë, lirinë dhe shtetin e së drejtës”, deklaroi Zaev.