Rama: ExxonMobile do të investojë në TEC-in e Vlorës

Rama: ExxonMobile do të investojë në TEC-in e Vlorës

Kompania amerikane e gazit të lëngshëm Exxon Mobil do të investojë në termocentralin e Vlorës. Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama në një intervistë me gazetarun Sokol Balla, në News24.

“Ministrja e Infrastrukturës Balluku ndodhet në Texas për të biseduar marrëveshjen me kompaninë ExxonMobile për të investuar në TEC-in e Vlorës”, u shpreh Rama, të enjten në darkë.

Kompania amerikane Exxon Mobil është kompania më e madhe për gazin e lëngshëm dhe naftën.

Qeveria në 31 dhejtor 2018 hapi garën për dhënien me koncesion për 20 vjet Termocentralin e Vlorës. Por tenderi me vlerë rreth 58,7 milionë euro, pavarësisht interesit nga kompanitë e huaja, u pezullua nga qeveria më 14 mars 2019.

Qeveria nuk dha asnjë arsye për këtë vendim.

Historia e Termocentralit të Vlorës

Termocentrali i Vlorës u planifikua nga qeveria Nano në vitin 2004, por nisi të ndërtohej vetëm në vitin 2007, pas kundërshtive fillestare të qeverisë Berisha që erdhi në pushtet më 2005-ën. Punimet zgjatën dy vjet më shumë se planifikimi dhe  përfunduan në fund të vitin 2011. Ndërtimi kushtoi rreth 103 milionë euro të financuar nga kredi nga Banka Botërore, Banka Europiane për Ndërtim dhe zhvillim, Banka Europiane e Investimeve dhe nga vetë KESH me 10 milionë euro. Fuqia e instaluar e TEC-it është 97 MW dhe ai është projektuar për të punuar me naftë dhe me gaz.

Ndërtimi i TEC-it u bë nga një kompani e specializuar italiane Maire Tecnimont, por ai nuk u mor asnjëherë në dorëzim nga KESH. Ndërtimi mbaroi në dhjetor 2011, dhe pak ditë para se të kryhej prova e marrjes në dorëzim, si rezultat i një stuhie, u dëmtuan tubat e sistemit të ftohjes duke shkaktuar një dëm rreth 2-3 milionë euro.

KESH refuzoi ta merrte në dorëzim TEC-in pas dëmtimit, ndërkohë që kontraktori italian pretendoi se nuk ishte përgjegjës për defekti e shkaktuar nga një aksident jashtë kontrollit të saj. Në mënyrë të njëanshme, por me mbështetjen e Bankës Botërore, qeveria shqiptare vendosi të sekuestronte fondin e garancisë së vendosur nga kontraktori dhe të mos bënte pagesën e këstit të fundit të punimeve. Kështu lindi një konflikt mes qeverisë dhe kontraktorit i cili vazhdon edhe kësaj ditë si në sistemin gjyqësor shqiptar ashtu edhe në arbitrazhin ndërkombëtar.

Ndërkohë, Termocentrali i Vlorës nuk është vënë asnjë ditë në shfrytëzim. Përveç mosmarrëveshjes me ndërtuesit, një nga problemet serioze që ndeshi TEC-i që në fillim ishte se kostoja e prodhimit të energjisë me naftë ishte më e lartë se sa kostoja e blerjës së energjisë në tregjet ndërkombëtare, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës.

Ndërkohë, punimi me gaz, që ka kosto prodhimi të energjisë ndjeshëm më të ulët se karburanti, ka qenë i pamundur deri tani për shkak të mungesës së furnizimit me gaz të vendit—deri tani Shqipëria nuk ka patur asnjë lidhje me rrjetet ndërkombëtare të furnizimit me gaz dhe asnjë lloj investimi për shfrytëzimin e gazit të lëngëzuar që mund të importohet me anije të posaçme.

Për këto arsye, që nga viti 2012 deri më sot, TEC-i i Vlorës ka qenë në gjendje konservimi, punonjësit kujdesen për mbajtjen në gjendje pune të centralit. Kostoja e mirëmbajtjes së tij kushton rreth 1 milionë euro në vit, ndërkohë që kostoja vjetore e shlyerjes së huasë së marrë për ndërtimine tij arrin në thuajse 10 milionë euro në vit—raporti i fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në tabelën, 79, faqe 177, pohon se vetëm për vitin 2017, TEC-i i Vlorës ka rritjen më të lartë të stokut të detyrimeve, me rreth 9,72 milionë euro. Në total, borxhet e TEC-it, që mbulohen nga qeveria, kapin vlerën e rreth 30 milionë eurove.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>