Rama firmos për zonë të përbashkët me Serbinë—askush nuk di se çfarë është

Rama firmos për zonë të përbashkët me Serbinë—askush nuk di se çfarë është

Kryeministri Rama firmosi me Presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Zaev një “marrëveshje mirëkuptimi” për krijimin e një zone për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve midis tri vendeve. Qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë informacion për marrëveshjen e sotme në Serbi.

Exit kontaktoi disa deputetë të Kuvendit dhe të gjithë thanë se vetëm kishin dëgjuar nga mediat se Rama do ta nënshkruante atë. Ata thanë se qeveria nuk i kishte informuar për përmbajtjen. Një deputet tha se marrëveshja do të përmirësonte tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve midis tre vendeve.

Plani në fjalë është një ide e para disa viteve e Vuçiçit. Më herët, kur e paraqiti publikisht atë në vitin 2017, Vuçiçi e quajti si nismë për krijimin e një “Jugosllavie plus Shqipëri”, pastaj “Shengeni Ballkanik” dhe tani e quan “mini-Shengeni”. Sipas tij, ky plan do të fuqizonte ekonomitë e këtyre vendeve përmes lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e marrëveshjes CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore), ku bëjnë pjesë edhe Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Moldavia. CEFTA synon pikërisht lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe tregtinë e lirë midis këtyre vendeve, derisa ata të anëtarësohen në BE.

Është e paqartë se çfarë do të sjellë më tepër se CEFTA marrëveshja e propozuar nga Vuçiçi.

Ideja e zonës Shengen në BE, emrin e së cilës mban në mënyrë joformale plani i Vuçiçit, ka të bëjë me lëvizjen e e lirë, pa viza, të njerëzve. Ndërkohë, qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lëvizin prej vitesh pa viza midis të tre vendeve. Në këtë kuptim, është e paqartë se si do të përmirësohet më tepër lëvizja e lirë e njerëzve pas marrëveshjes Vuçiç-Rama-Zaev.

Nënshkrimi nga Rama vjen në një kohë kur Kosova pret një qeveri të re të opozitës së mëparshme, e cila ka kundërshtuar shumë aspekte të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Koalicioni LVV-LDK pritet të ketë një qasje të ndryshme ndaj këtyre marrëdhënieve.

Mbetet e paqartë çfarë ndikimi parashikon Rama se do të ketë kjo marrëveshje te Kosova, kur Serbia nuk e njeh atë, lobon për dobësimin e saj, dialogu mes tyre ka ngrirë, Kosova ka vendosur tarifë 100 përqind mbi mallrat serbe dhe Vuçiç-Rama-Zaev nuk e kanë përfshirë atë në marrëveshjen e sotme.

Nuk dihet as nëse Rama është konsultuar me koalicionin e pritshëm qeverisës LVV-LDK përpara se të nënshkruajë.

Më herët Vuçiç ka thënë se është entuziast për realizimin e projektit të tij, pasi ka rënë personalisht dakord për të me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, motivi, përmbajtja dhe rezultatet e pritshme nga kjo marrëveshje janë krejtësisht të panjohura për pubikun shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>