Rama garanton ambasadoren Kim se Tom Doshi nuk do të ketë rol në qeverinë e tij

Nga Exit News
Rama garanton ambasadoren Kim se Tom Doshi nuk do të ketë rol në qeverinë e tij

Ambasadorja Yuri Kim ka njoftuar se kryeministri Rama e ka siguruar se Tom Doshi nuk do të ketë asnjë rol në qeveritë e formuara prej tij.

Në një postim në Twitter, Kim kërkon “t’i japë fund spekulimeve” rreth deklaratave të saj në lidhje me deputetin Tom Doshi.

Ajo shkruan se kryeministri Rama i “rikujtoi se ai e ka përjashtuar personalisht” Tom Doshin nga PS.

Rama “theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në qeveritë që do të formojë.”, shton Kim.

Pak ditë më parë ambasadorja amerikane i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përjashtojë nga listat për deputet, Tom Doshin me argumentin se ai ishte në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion.

Deklaratat e saj kthyen edhe njëherë vëmendjen nga dekriminalizimi i parlamentit.

Kryeministri Rama reagoi duke u shprehur se nuk do të vendosë deputetë të inkriminuar në listat e PS-së dhe këtë nuk nevojitej t’ja kujtonte ambasadorja Kim.

Tom Doshi është kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe ka votuar pro qeverisë Rama. Në vitin 2016 ai u përjashtua nga PS pasi akuzat e tij se Ilir Meta kërkonte ta vriste, nuk u provuan në gjykatë.

DASH i ka ndaluar atij hyrjen në SHBA ndërsa opozita e ka akuzuar si të përfshirë në krime, duke dënuar praninë e tij në Kuvend. Megjithatë KQZ nuk ja ka ndaluar kandidimin Tom Doshit edhe pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>