Rama heq përgjegjësinë nga vetja për kandidatët për deputetë të inkriminuar

Nga Exit News
Rama heq përgjegjësinë nga vetja për kandidatët për deputetë të inkriminuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi, të hënën, se çdo kandidat për deputet mban përgjegjësi personale, nëse e shkuara e tyre kriminale zbulohet.

Në një deklaratë për median, pas mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në PS, ai u shpreh se partia nuk mund të jetë ‘drejtori policie’ që të verifikojë të shkuarën e gjithësecilit.

Rama tha se ‘nuk ka ndërmend të ngrejë salla torturash në selitë e partive, nëse dikush fsheh diçka’.

“Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie,” u shpreh ai.

Rama tha se Partia Socialiste bën verifikimet për kandidatët siç e përcakton ligji, por nuk mund të bëjë më shumë se kaq.

Deklarata e Ramës vjen pas thirrjeve të përsëritura të ambasadores Yuri Kim drejtuar partive politike për të mos përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë persona me të shkuar kriminale.

Kim është shprehur se përgjegjësia për pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë është e kryetarit të partisë.

Ligji i Dekriminalizimit, miratuar në fund të vitit 2015, ndalon kandidimin dhe zgjedhjen në poste publike të personave me të dënuar me vendim të formës së prerë për rreth 80 vepra penale.

Partia Socialiste ka rezultuar si partia më e goditur nga ky ligj, pasi një sërë deputetësh dhe kryebashkiakësh të saj u shkarkuan nga KQZ-ja, për të shkuarën kriminale.

Pavarësisht kësaj, Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste kandiduan në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 të paktën 5 kandidatë të verifikuar ose të akuzuar deri më tani se janë në shkelje të këtij ligji, pasi kanë fshehur dënimet e marra në të shkuarën. Exit News ka bërë një përmbledhje të plotë këtu:

  • Valdrin Pjetri i Shkodrës;
  • Agim Kajmaku i Vorës;
  • Mark Babani i Vaut të Dejës;
  • Qerim Ismailaj i Mallakastrës;
  • Agron Malaj i Matit.
LEXO  Hulumtimi i News24 – Çdo muaj Veliaj 3 udhëtime jashtë shtetit

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme