Rama i lumtur për kalimin e aeroportit nga kinezët tek shqiptarët

Nga Exit News
Rama i lumtur për kalimin e aeroportit nga kinezët tek shqiptarët

Kryeministri Edi Rama mbrojti zgjatjen e koncesionit të aeroportit ‘Nënë Tereza’ me 13 vjet. Ai gjithashtu përgëzoi blerjen e koncesionit të aeroportit dhe kalimin e tij nga një kompani kineze tek një shqiptare.

Në një bisedë me gazetarët të martën, Rama u shpreh se:

“Tashmë çmimet janë normale, sepse çmimet ishin të kripura. Jam shumë i lumtur që aeroporti më në fund do kthehet në kantjer investimesh të reja, që nuk janë bërë nga kinezët si pista e re, terminali i ri”.

Qeveria Rama propozoi zgjatjen e koncesionit të aeroportit të Rinasit me 13 vite më 29 janar. Sipas relacionit të ligjit të dërguar në Kuvend, afati i koncesionit shtyhet nga 22 vite në 35 vite.

Shtyrja u propozua me justifikimin e një plani për investime nga koncesionari, si zgjerim të  pistës së aeroportit dhe ulje me 20 përqind të tarifave për pasagjer.

Plani i investimeve sipas relacionit është rreth 99 milionë euro, shifër e përafërt me atë që deklaroi më parë kompania koncesionare.

Rreth një muaj më parë, kompania Kastrati u bë koncesionari i ri i TIA-s. Sipas propozimit të ri të qeverisë, ajo do të drejtojë aeroportin “Nënë Tereza” deri në vitin 2039.

Aeroporti i Rinasit u dha me koncesion në vitin 2004 me afat 20 vite. Kohëzgjatjes së kontratës iu shtuan dy vjet në vitin 2016. Në këmbim, koncesionari i atëhershëm ra dakord për lejimin e hapjes së aeroporteve të reja në vend.

Zgjatja e afatit të koncesionit nuk po kryet me tender publik por me propozim të Këshillit të Ministrave dhe pret që të votohet në Kuvend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>