Aleanca Kundër Importit të Plehrave, grupi që prej vitesh ka kundërshtuar ligjin e importit të mbetjeve, ka kundërshtuar deklaratat e Kryeministrit Rama ku i quan “matrapazë” zërat kundër këtij ligji.
Pak ditë më parë i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, pyetur për projektligjin e importit të mbetjeve, Zoti Rama u shpreh:
“Projekti që ne tërhoqëm nuk është import plehrash, por mundësi importi për industrinë e riciklimit për dru, kartonë, qelq dhe alumin.
E kemi tërhequr për një arsye të thjeshtë, për të mos lejuar intoksikimin deri në verbëri të një pjese të opinionit nga të gjithë matrapazët e plehrave që bëjnë politikë me plehrat dhe pleh me politikën.
Nuk do e aktivizojmë [ligjin] derisa të detoksikojmë atë pikë të opinionit që ka arsye të besojë dhe dyshojë, për atë ç’ka ka parë në këtë çerek shekull në këtë vend, që të ketë besim për një çështje kaq sensitive.”
Në përgjigjen e tyre AKIP shkruan:
“AKIP thekson se ndalimi i importit të plehra-mbetjeve është një kauzë qytetare e frymëzuar nga vetë qytetarët kundër politikanëve që për interesa klienteliste dhe korruptive janë përpjekur këtu e 14 vjet të fusin plehra në Shqipëri për t’i djegur ato.
I kujtojmë Zotit Rama se në nenet që lejojnë importin e mbetjeve, të rifutura në 2016, pas rrëzimit në 2013, prej të njëjtës maxhorancë i hapet rrugë jo vetëm importit për qëllime riciklimi, (tashmë ka filluar djegja e mbetjeve të riciklueshme në Elbasan), por edhe importit për djegie, por të kamufluara si zëvëndësues i lëndëve djegëse për industrinë.”
AKIP shpreh, po ashtu, mbështetjen për protestën e banorëve të Vërrisë, kundër ndërtimit të inceneratorit për djegien e mbetjeve dhe shprehet se qëndresa e qytetarëve kundër ligjit të importit të mbetjeve do të vazhdojë.
Ligji i shumë diskutuar i importit të mbetjeve u risoll në Kuvend në qershor 2016, nga maxhoranca socialiste, megjithëse 3 vjet më parë, kur PS sapo erdhi në pushtet, akti i parë i Edi Ramës ishte ndalimi me ligj i importit të plehrave.
Ligji nuk u dekretua nga Presidenti Nishani. Ky i fundit e riktheu ligjin në parlament më 14 tetor 2016. Që prej atëherë, shumë herë është lajmëruar se projektligji do të rifutet në rendin e ditës së kuvendit për votim, por deri më tani nuk ka qenë pjesë e axhendës.
Ndërkohë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit.
Importi i plehrave është kundërshtuar gjërësisht nga qytetarët dhe paraqet rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera.
Rikthimi i ligjit për shqyrtim në kuvend, kurdo që të vendoset nga Qeveria Rama, pritet të shoqërohet me protesta të qytetarëve.