Edi Rama ishte i vetmi kryeministër nga shtetet ballkanike që mori pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit Erdogan, në Ankara, ditën e hënë.
Në këtë ceremoni nuk ishte i pranishëm asnjë lider i ndonjë vendi perëndimor. Kryesisht të huajt e pranishëm ishin nga vende të cilat kanë marrëdhënie të ngushtë me Erdoganit, si ish-tokat e pushtuara nga perandoria otomane në Ballkan, Kaukaz, dhe Lindjes së Mesme.
Marrëdhënia e ngushtë ndërmjet Kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan është e njohur tashmë.
Kryeministri Rama ishte i vetmi udhëheqës i një vendi aspirant për të hyrë në BE — në ndryshim nga udhëheqësit e vendeve perëndimore, të cilët shprehën hapur rezervat e tyre për zhvillimet politike në Turqi— që uroi Presidenti Erdogan edhe për fitoren e referendumit të mbajtur në prill të 2017-ës.
Ishin pikërisht ndryshimet kushtetuese të votuara në këtë referendum, ato që tashmë i japin Presidentit Erdogan të drejtën për të sunduar pa u kontrolluar nga parlamenti.
Një tjetër pikë takimi mes Erdogan dhe Ramës ishte dhe nënshkrimi që kryeministri Rama i bëri deklaratës së Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për njohjen simbolike të Jeruzalimit Lindor si kryeqytet të Palestinës, në maj të vitit 2018.
Ky veprim kishte për qëllim të shprehte kundërshtinë publike ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donal Trump për njohjen de facto të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Admirimin për presidentin turk, Kryeministri Rama e shprehu dhe në një intervistë ekskluzive për median turke Anadolu Agency, më 13 qershor 2018:
“E kam admiruar për së largu punën e tij [Erdoganit] të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën.”