Rama ironizon opozitën për 750 mijë qytetarët e mbetur jashtë ndihmës ekonomike

Nga Exit News
Rama ironizon opozitën për 750 mijë qytetarët e mbetur jashtë ndihmës ekonomike

Kryeministri Edi Rama ironizoi të enjten qëndrimin e opozitës se qeveria ka lënë jashtë ndihmës financiare 750 mijë qytetarë.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ironizoi me shifrat duke u shprehur se:

“[…] para epidemisë kishim vetëm të papunë e të gjithë kishin ikur nga Shqipëria! Tani paskemi vetëm punëtorë e të varfër që duhen paguar, po t’i mbledhësh siç i numëron PD-ja bëhen 2 milionë! Plus fëmijë, studentë, pensionistë, shtëpiake, nuk paska ikur kush nga Shqipëria! Vaj medet PD!”

Pas një mbledhje në selinë e PD-së, opozita shpërndau një deklaratë për shtyp ku ngrinte shqetësimin se në 6 javë qeveria:

  • ka bërë mesatarisht vetëm 110 teste në ditë, për mbi 2,6 milionë banorë.
  • ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë.
  • nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për përballimin e krizës, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon.

Opozita ka kërkuar disa herë anulimin e koncesioneve, transparencë dhe gjithëpërfshirje të bizneseve dhe familjeve në nevojë në paketa të ndihmës ekonomike.

Ajo ka theksuar se qeveria po ecën pa plane përballë epidemisë, po shpërdoron fondet me tendera sekretë dhe deri më sot ka vënë vetëm gjoba ndaj qytetarëve.

Qeveria aktualisht ka vënë në zbatim vetëm dy paketa të ndihmës ekonomike për ata që iu pamundësua puna për shkak të epidemisë, ndërkohë që ende nuk është publikuar një paketë e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.

Lufta e qeverisë duhet të jetë me virusin dhe pasojat e tij dhe jo me qytetarët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>