Rama justifikon darkën e ministrave e zyrtarëve në Dubai

Nga Exit News
Rama justifikon darkën e ministrave e zyrtarëve në Dubai

Kryeministri Rama justifikoi darkën e ministrave dhe zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, mbrëmjen e 9 janarit në Dubai, duke thënë se ‘kanë shkuar për të sjellë investime në Shqipëri’.

Duke iu përgjigjur reagimeve të shumta të qytetarëve pas publikimit të videos, Rama shkroi se grupi i zyrtarëve nga Shqipëria, kanë shkuar në Dubai për të takuar sipërmarrës të mundshëm.

Grupi përfshin përfaqësues të qeverisë, pushtetit vendor e mediave. Shpenzimet e udhëtimit, sipas Ramës, mbulohen nga ‘mikpritësit’.

rama komente

Mbrëmjen e 9 janarit, restoranti i famshëm Nusret në Dubai postoi një video ku dukeshin teksa darkonin një grup personash. Ata ishin nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, Drejtori i Komunikimit në kryeministri Endri Fuga me bashkëshorten, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe sipërmarrësi Samir Mane.

Nuk dihet ende nëse në tavolinë kishte dhe zyrtarë të tjerë të lartë apo sipërmarrës shqiptarë apo të huaj.

Videoja u mor menjëherë nga media shqiptare dhe qarkulloi në rrjetet sociale. Brenda pak minutash, restoranti e fshiu video nga profili i tij.

Reagimet e qytetarëve ishin të menjëhershme pasi restoranti ku po darkonin zyrtarët dhe sipërmarrësi Mane njihet si një prej më të shtrenjtëve. Për më tepër, darka luksoze vjen në një moment kur vendi është përfshirë nga përmbytjet, në mes të një pandemie globale.

Në vend qindra familje kanë humbur banesat dhe toka e tyre, si pasojë e përmbytjeve për shkak të problemeve të infrastrukturës apo keqmenaxhimit nga ana e institucioneve të digave të hidrocentraleve.

Në disa media u raportua se grupi i zyrtarëve shqiptarë vizitoi Dubain me ftesë të grupit të biznesit Emaar. Ky grup ka marrë përsipër të ndërtojë 2000 apartamente në zonën e Spitallës, si pjesë e procesit të Rindërtimit.

Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë reagim për vizitën në Dubai nga asnjëri prej ministrave pjesëmarrës apo zyrtarëve të bashkisë Tiranë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>