Rama kundër Haradinajt, turpi i pashlyeshëm ndaj shqiptarëve

Nga Ermal Mulosmani
Rama kundër Haradinajt, turpi i pashlyeshëm ndaj shqiptarëve

Gjithçka filloi më 16 Shkurt të vitit 2018, një natë përpara përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, deklaroi në një intervistë: “Tema e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi ishte një temë e shpikur nga Ramush Haradinaj”.

Në reagim të kësaj deklarate, Haradinaj i kujton Ramës që është Kryeministër i një shteti tjetër dhe duhet të merret me punët e atij shteti. Të nesërmen ishte përvjetori i pavarësisë, Rama mori shuplakë publike dhe duhej të gjente një zgjidhje.

Me bisht ndër shalë, kryeministri fjalëgjatë e mendimshkurtër zbythet nga qëndrimi i tij dhe i shkon në shtëpi Ramush Haradinajt për t’i kërkuar falje. Për të mbyllur këtë histori publikon një foto ku të dy dalin me një gotë raki si “shenjë e pajtimit”.

Ky moment shënon edhe fillimin e fundit të një raporti të vështirë mes dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare. Duket që Edi Ramën e mundon hija e një kryeministri si Haradinaj, që nuk ia lë mangut në përgjigjet publike. Ai gjithmonë kishte parë Hashim Thaçin si lider në Kosovë, ai ishte “homologu”, paçka se në detyrën e kryeministrit ishte Isa Mustafa apo Ramush Haradinaj.

Nënshtrimi publik dhe, për më tepër, falja publike që u detyrua t’i bëjë Ramush Haradinajt, duke i vajtur në shtëpi, nuk gëlltitej lehtë. Përgjatë dy viteve që bashkëjetuan si kryeministra, ata do të kishin shpesh raste për t’u kundërvënë, për t’u sharë e mallkuar me mend e me zë. Por fillimi ishte ajo ditë.

Edi Rama shkëlqeu në daljen e vet të parë në Serbi, në vitin 2014. Të gjithë e mbajmë mend euforinë që shkaktoi në opinionin shqiptar, në të dyja anët e kufirit, dhe marazin e Vuçiçit shprehur përmes heqjes së kufjeve të përkthimit. Kryeministri serb, ndoshta i prerë në besë, kuptoi shumë shpejt se ato fjalë ishin thënë vetëm sepse “duheshin thënë për konsum të brendshëm të Ramës”.

Por ishte hera e fundit që Vuçiçi do të merrte mërzi nga Rama.

Këtë ia bëri të qartë vetë Edi Rama kur shtoi “Aleksandër, hajde edhe ti dhe thuaje të vërtetën tënde në mes të Tiranës, dhe askush nuk do të të censurojë”. Kjo deklaratë e asaj kohe ishte një konfirmim se deklaratat publike kryeministri Rama i konsideron të parëndësishme. Ndoshta ajo deklaratë edhe e nxiti Aleksandër Vuçiçin 5 vjet më vonë që të thoshte se “Masakra e Reçakut ishte shpikje e perëndimorëve”. Ndoshta jo pa qëllim, në vigjilje të vizitës në Tiranë.

Vuçiçi mund të deklarojë gjithçfarë broçkullash të dojë, por jo edhe Haradinaj!

Epshi që nxit hakmarrja ndaj heroit të lirisë së Kosovës dhe armikut më të madh të Serbisë, kaloi edhe imagjinatën më të çmendur me aktin e dorëzimit të padisë kundër tij! Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë qenë kaq afër Ramushit sa sot. Dufi i zemërimit popullor ndaj aktit të papërgjëgjshëm të kryeministrit të Shqipërisë e kalon edhe trishtimin, mërzinë dhe solidaritetin që ndiemë ndaj Ramushit kur u dorëzua në Hagë në 2005-ën. Atëherë ishim të mërzitur për fatin e Ramushit, sot jemi të çmendur për çmendurinë e kryeministrit tonë!

Më 26 Nëntor, në mëngjes herët, Shqipërinë e goditi një tërmet i tmerrshëm, shkatërrues, vdekjeprurës. Të ngratët ne u zgjuam të tmerruar, të paorganizuar, të çorientuar. Vetëm 4 orë pas shkatërrimit, grupe zjarrfikësish pa mjete mbërritën në rrënoja të mbushura me njerëz që përpiqeshin me duar të hiqnin mbeturinat, me qysqi dhe me vetëm një vinç karkalec. Ishin pamje qyqare të një shteti qyqar, të varfër, por me një kryeministër pordhac.

Trishtimi ishte i madh derisa varganët e kamionëve të ushtrisë së Kosovës mbushën Rrugën e Kombit! Në tmerrin e fatkeqësisë sonë shkëlqeu organizimi i një shteti të ri. Ramush Haradinaj u zgjua herët atë natë, organizoi gjithçka me ritmin e një komandanti lufte dhe nisi kamionët e shpresës, profesionistët e shpëtimit, të pajisur me mjete moderne. Lotë na shpërthyen ato ditë, fotot e atyre kamionëve do të jenë të fiksuar në memorien e të gjithë shqiptarëve bashkë me falenderimin për kryeministrin Haradinaj.

Por Edi Rama nuk gjeti kohë për Ramushin edhe në këtë tragjedi. Ai ishte i zënë me hartimin e akt-padisë së turpit!

Ethet e marazit ia errësuan arsyen, derisa të humbiste edhe të fundmin ithtar të tij në Kosovë, në mënyrë të pakthyeshme. Ndër të gjithë veprimet e Edi Ramës ky është më i turpshmi. Të paktën deri sot, se nesër kurrë nuk i dihet.

Titulli i gazetës serbe Espreso: “Rama i vendosur ta shkatërrojë Haradinajn! Në qendër të gjithçkaje është Serbia!”

Tema e padisë është fare e parëndësishme. Them e parëndësishme në raport me dëmin që sjell kjo padi. Sot media serbe hapej me titujt “Rama padit Haradinajn, shkak Serbia”.

Të isha në vend të Ramushit nuk do të merresha me atë gjyq fare. Le ta fitonte Rama. Do të ishte Ramushi ai që do të shkëlqente me elegancën, tolerancën dhe shpirtgjerësinë e një shqiptari të madh.

A do e imagjinonte Rama një fitore të tillë? Një fitore përplot vërshëllima neverie shqiptarësh.

Ky artikull u botua më herët te Gazeta Express. Titulli nga Exit News.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>