Qeveria e Kosovës e cilëson ‘pa vizion’ nisën e ‘Mini Shengenit’ por kryeministri Rama është shprehur të enjten kundër këtij qëndrimi.
Gjatë takimit me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb Vuçiç në Forumin Ekonomik në Shkup, Rama tha se i njeh arsyet përse Kosova nuk bëhet pjesë e kësaj nisme por është kundër këtij qëndrimi.
Rama dha edhe mesazhe për kryeministrin kosovar Albin Kurti gjatë fjalës së tij.
“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, e para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”, tha Rama.
Në një përgjigje për REL lidhur me mospjesmarrjen në takimin e sotëm në Shkup, qeveria e Kosovës është shprehur:
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin”.
Nisma rajonale e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u riemërtua sot me emrin ‘Open Balkan’ ndësa liderët e tre vendeve nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje.