Kryeministri Rama deklaroi në komunikimin e përditshëm me qytetarët se do të ashpërsojë masat deri në burgim, për ata që dalin nga shtëpitë pa leje të posaçme apo për bizneset të cilat nuk respektojnë masat mbrojtëse.
Rama pohoi se javën e ardhshme, qeveria do të lehtësojë masat kufizuese, por qytetarë duhet të respektojnë rregullat e vendosura nga qeveria.
“ Si fillim do të rrisim fashën e orareve, por do të rrisim masat ndëshkuese deri në heqje lirie, për ata që shkelin kohëdaljen për pazar.”
Rama shtoi se do të lejojë qarkullimin e automjeteve private për të gjithë punonjësit në bizneset private. Kjo do të kombinohet me masa ndëshkuese deri burg, nëse automjeti përdoret për qëllime të tjera përtej punës.
Dyqanet, të cilat nuk janë në qëndra tregtare do të hapen javën e ardhshme, por Rama theksoi se punonjësit duhet të pajisen me doreza dhe maskë. Sërish mosrespektimi i këtyre rregullave do të pasohet nga masa ndëshkuese deri në burg.
Reagimi i kryeministrit Rama erdhi, pasi në shumë media u raportua se sot ka pasur një dyndje të qytetarëve që nuk zbatonin asnjë masë sigurie në tregje.