Kryeministri Edi Rama sulmoi ashpër gazetarët, të martën, teksa ata e pyetën për përgjimet e Ndrangheta-s dhe dyshimet për lidhje me qeverinë.
Gjatë debatit, Rama iu drejtua gazetarëve shpeshherë me përçmim dhe me fjalë kërcënuese e ofenduese, duke i quajtur në rastin më të mirë si ‘të paaftë’ e ‘dashakeq’ e deri në të ‘inkriminuar’.
Exit News po përsërit më poshtë disa prej sulmeve kryesore të Ramës ndaj gazetarëve në më pak se një orë debat:
– “Keni 10 ditë që keni torrolisur këtë milet.”
– “E keni helmuar këtë milet me gjithëfarë lloj historish.”
– “Si mund ta furnizoni këtë milet me këto dokrra, pisllëqe?!”
– “Moj zonjë, kupton shqip ti?!”
– “Keni ushqyer tymnajën që është e neveritshme.”
– “Ju i shisni një javë lecka Shqipërisë.”
– “Ca është kjo mungesë e frikshme patriotizmi në mënyrën se si shihen faktet?!”
– “Është e hatashme se si nivelin e dëgjimit e keni kaq të ulët dhe nivelin e insistimin në gabim e keni kaq të lartë.”
– “Këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon përpara, nuk ia bën njeri.”
– “Po merrni kohë nga koha e qytetarëve për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kundërbuese budallallëku e poshtërsie.”
– “Ambalazhoni përgjimet e mitomanëve dhe delirantëve italianë.”
– “Pijani lëngun përgjimeve e pastaj villini prap nëpër ekrane e portale, për t’i bërë shqiptarët që t’ju vi për të vjellë.”
– “Marrja dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqiptarët ditëve për klikime është turp që mishëron ata që e ushqejnë këtë qasje dhe që prirjen për tja bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet.”
– “Ata që e luftojnë mafian shtrirë nëpër kolltuqe si derra të kënaqur dhe që mbajnë shqiptarët me orë natë për natë me dokrra e bëjnë ekspertët e luftës kundër krimit, janë më të korruptuar dhe inkriminuar se të gjithë ne së bashku.”
– “Kjo është provë spektakolare e kandisjes së opozitës dhe medias.”
– “Merrni letra nga dosje përgjimesh në Itali e hidhini këtu bëj çorap dynjanë me llafe.”
Në 8 vite qeverisje, Rama është kritikuar vazhdimisht për gjuhën e tij agresive, kërcënuese dhe abuzive të përdorur kundër gazetarëve. Pavarësisht thirrjeve për të ndyshuar retorikën, si nga organizatat ndërkombëtare ashtu dhe ato vendore, Rama vazhdon në mënyrën e tij.
Exit News ka listuar dhe më parë një sërë fyerjesh me të cilat kryeministri Rama i është drejtuar gazetarëve që prej nëntorit 2017.