Rama mbron minishengenin dhe mohon se ka mbështetur idenë e ndarjes së Kosovës

Nga Redaksia
Rama mbron minishengenin dhe mohon se ka mbështetur idenë e ndarjes së Kosovës

Kryeministri Edi Rama mohoi të ketë mbështetur shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa mbrojti sërish sot nismën e minishengenit ballkanik.

Në një videomesazh të gjatë të shpërndarë në Facebook, zoti Rama këmbënguli se shengeni ballkanik nuk është “Jugosllavi e re”, “plan serb për pushtimin ekonomik të rajonit” apo “amnisti për krimet e luftës”, por është “domosdoshmëri historike”. Në këtë pjesë ai sulmoi politikanët e kosovës, të cilët i konsideroi të interesuar më shumë për postet shtetërore se sa për qeverisje.

“Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri.”

Zoti Rama këmbënguli se akuzohet padrejtësisht rreth çështjes së njohur si ideja e “shkëmbimit të territoreve”, apo “ndarjes së Kosovës” në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Shengeni Rajonal nuk është […] as ndonjë program a marrëveshje për të amnistuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit. Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran.

Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi, ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s’do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën mbase e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, gabon”.

Kryeministri Rama vazhdoi më tej duke theksuar se nisma për shengenin ballkanik nuk e dëmton Kosovën, por i jep më shumë mundësi. Ai tha se kjo nismë është rruga e vetme për shqiptarët që të thyejnë “barrierat kufitare mesveti”. Këtu tregoi se kishte bindur Presidentin serb Vuçiç që të mos kushtëzonte bnismën me “aspektet që ndajnë me Kosovën”.

“Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra, sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrsesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike. Tani ndjesë po nëse flasim me argumente e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vetëm racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.”

Zoti Rama këmbënguli se qëndrimi për këtë nismë nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, duke nënkuptuar se ai do të vazhdojë ta mbështesë nismën, pavarësisht qëndrimeve që ka mbajtur Kosova për të refuzuar ftesat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>