Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur kontratat e Partneritetit Publik-Privat si të suksesshme dhe që i japin mundësi shtetit të bëjë investime dhe kur nuk ka para.
Duke folur në një bashkëbisedim me gazetarët të martën, Rama tha:
“Partneritetet Publike-Private janë investime që ti i merr sot nga privati sepse nuk ke para ta bësh nga buxheti dhe i shlyen në kohë.
Ne nuk e kishim të mundur të bënim transformimin historik të materialeve dhe instrumentave mjekësore, dhe ndaj e dhamë me PPP.”
Rama theksoi si shembull suksesi dhënien e dializës me PPP:
“Dializën e bëjnë [pacientët] sot si njerëz të respektuar në kushte optimale dhe paguajnë aq sa paguanin më parë.”
Ai foli dhe për PPP-të e inceneratorëve dhe tha se ato kanë shpëtuar fëmijët e zonave nga sëmundjet, pa e sqaruar se ç’do të thotë kjo:
“Ofensivë plehu për inceneratorët, ndërkohë e vërteta ëshët se kemi shpëtuar fëmijët e zonave nga sëmundjet që i kanë ndjekur pas.”