Rama mbron PPP-të, por ç’thonë BERZH, FMN, KE dhe Banka Botërore?

Nga Exit News
Rama mbron PPP-të, por ç’thonë BERZH, FMN, KE dhe Banka Botërore?

Kryeministri Edi Rama mbrojti sot modelin e kontratave të Partneritetit Publik-Privat si një mjet shumë të rëndësishëm për ekonomimë e vendit.

Gjatë një tryeze me përfaqësues të Këshillit te Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumit Ekonomik Botëror për konkurrencën dhe inovacionin, Rama u shpreh:

“Unë e di që nëse do të thoja PPP, menjëherë do të kem shumë njerëz që do fillojnë të bëjnë zhurmë, për hir të luftërave ose analizave, që do të bëhen dhe asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të kuptuar sesa e rëndësishme është që t’i kemi PPP si pjesë e përpjekjes tonë të përgjithshme.

PPP janë ato që do të na mbështesin fuqishëm të gjithë ne, në identifikimin dhe duke na shtyrë më tej përpara për iniciativa, të cilat do të krijojnë kushte të reja dhe iniciativa të reja për start up-e.”

Në të vërtetë të gjithë institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare e kanë kritikuar qeverinë shqiptare për përdorimin e kontratave PPP.

Në raportin e Tranzicionit 2019-2020, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) shkruante se qeveria ka dhënë PPP pa procese transparent konkurrimi dhe pa garë. Po ashtu BERZH shkruante se Shqipëria nuk ka bërë analiza të qarta të risqeve që i vijnë ekonomisë nga këto kontrata. Një tjetër shqetësim që ngre BERZH është mospasja e mundësive financiare të kompanive që kanë fituar kontratat PPP, duke përmendur në raport rastet e PPP-ve për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara.

Edhe më problematike, sipas BERZH-it, janë rastet kur qeveria pranon ofertat e pakërkuara nga kompanitë private, të cilat në shumicën e rasteve janë kontrata jofitimprurëse për shtetin.

Komisioni Europian po ashtu kritikoi qeverinë në korrik 2019, për dhënien pa kontroll të kontratave të Partneritetit Publik-Privat, të cilat  deri në atë moment kishin arritur në nivelin më të lartë historik për Shqipërinë – sa 31 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Ngjashëm me BERZH-in, Komisioni Europian është e shqetësuar se qeveria shqiptare i jep këto kontrata pa garë, pa transparence, pa bërë analizat e nevojshme të riskut dhe pa bërë një matje të raportit kosto-përfitim,

Banka Botërore, po ashtu, ka theksuar disa herë rrezikun që i vjen Shqipërisë nga kontratat e Partneritetit Publik-Privat. BB i ka kërkuar qeverisë që të jetë më transparente për mënyrë dhe procesin se si merr vendimet se cilat investime publike të bëhen me PPP.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar disa herë se qeveria nuk mund të pranojë çdo propozim të pakërkuar nga kompanitë private për PPP, pa bërë asnjë analizë të plotë kostosh e përfitimesh, pa garë e pa transparencë.

Në vend të kontratave PPP, të gjithë këto institucione i kanë rekomanduar Shqipërisë përdorimin e huave nga institucionet ndërkombëtarë, si mënyrën me koston më të ulët për të projektet publike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>