Sulmet ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që hetojnë korupsionin apo shkeljet ligjore të zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë politikë kanë qenë një qasje e e vazhdueshme e Kryeministrit Rama.
Duke përfituar nga perceptimi i përrhapur i korrupsionit të drejtësisë dhe duke keqpërdorur reformën në drejtësi, Edi Rama ka sulmuar hapur dhe ashpër thuajse çdo hetim e gjykim të drejtësisë kundër bashkëpunëtorëve të tij.
Pak ditë më parë, ai sulmoi ashpër në publik prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, për arsye se prokurori ka ngritur akuza kundër drejtorit të kadastrës së Durrësit Liridon Pula.
Nga salla e Kuvendit, Rama deklaroi, pa asnjë fakt apo provë se prokurori Ndoja është i lidhur me bandat dhe shantazhon nëpunësit e shtetit për llogari të tyre. “Ka të tjerë si një prokuror në Durrës, i cili është sot prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe iu bën shantazh nënpunësve të shtetit,” u shpreh ai.
Sërish dje, në një takim publik në Lezhë, Kryeministri vazhdoi sulmin e tij:
“Javën e kaluara një rast flagrant i shkeljes së ligji, por jo vetëm i shkeljes së ligjit, por të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit. Ata që vetingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt.”
Është vetëm rasti i fundit në serinë e sulmeve me gjuhë urrejtjeje dhe shantazhi kundër prokurorëve dhe gjykatësve.
Në vitin 2014, Rama sulmoi prokurorinë, pasi ajo nisi hetime ndaj deputetëve socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të cilët u akuzuan për goditjen e deputetit Gent Strazimiri në mjediset e Kuvendit. Rama deklaroi se hapja e hetimeve ishte “në përpjestim të zhdrejtë, pasi vendi ka çështje më të mëdha penale sesa skuqja e pjesëve lakuriqe të kokës, për të cilat prokuroria qëndron në vend-numëro.”
Në 2016, Rama e quajti prokurorinë “vegël politike”, pasi ajo kërkoi pezullimin e drejtuesit të Policisë së Shtetit Haki Çako në lidhje me përdorimin e paligjshëm nga policia të një pajisjeje përgjimi – IMSI Catcher.
Në korrik 2016, prokuroria nisi hetimet ndaj Çakos, me dyshimin se ai e kishte përdorur këtë pajisje për të përgjuar në mënyrë të paligjshme funksionarë të lartë. Me kërkesë të saj, gjykata e Tiranës vendosi pezullimin e Çakos nga detyra deri në mbarimin e hetimeve.
Menjëherë Kyeministri sulmoi publikisht gjykatën:
“Pezullimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ndalimi i dy drejtuesve të saj, është e pajustifikueshme dhe është një tjetër kambanë që bie për emergjencën kombëtare të Reformës në Drejtësi. Institucioni shqiptar i akuzës është përfshirë në një makinacion kaq të rëndomtë politik.”
Në vitin 2017, Rama sulmoi Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi ajo kishte kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si i dyshuar për bashkëpunim me bandën kriminale të Habilajve. Rama tha se prokurorët nuk kishin asnjë provë e fakt për të kërkuar arrestimin e Tahirit:
“Të arrestojnë një deputet me burg, pa e marrë në pyetje, le pastaj pa prova. Ku u gjet ky zell i panjohur, i një prokurorie që s’ka lëvizur një gisht që kur ka lindur. As për prova e fakte që shihen ashiqare si të dyshimta nuk kanë lëvizur, le më për përgjime. Kurrë. Asnjëherë. Hiç. Asnjë gisht nuk lëvizi kjo prokurori me një bilanc memec. Me 4 fletë bakalli duan të fusnin në burg një deputet.”
Retorika kundër sistemit të drejtësisë duket se sa vjen e forcohet me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi. Kjo e fundit duket se i ka dhënë zotit Rama një armë për të shantazhuar prokurorë e gjyqtarë shpeshherë kur ata hetojnë zyrtarë të Partisë Socialiste.
Në një artikull të mëparshëm, ne kemi argumentuar se si Rama sulmoi haptazi prokurorin e dosjes së Dibrës, Gentian Trenova. Në një postim në Twitter ai e quajti zotin Trenova “birbo, që doli cullak nga vetingu”. Sulmet politike ndaj tij të forcojnë idenë se Trenova mund të jetë shkarkuar nën trysninë politike të qeverisë, për shkak se urdhëroi përgjimin e zyrtarëve të lartë socialistë.
Në kontrast të qartë me këto qendrime, Kryeministri nuk ka dënuar, nuk ka kritikuar dhe nuk është distancuar në asnjë çast nga zyrtarët e tij të kapur duke bashkëpunuar me kriminelë dhe me persona të tjerë për të vjedhur vota, përfshi rastet e Durrësit dhe të Dibrës.
Madje, me fjalët dhe veprimet e tij, Kryeministri i ka mbrojtur haptazi ata dhe ka zgjedhur të sulmojë prokurorët që hetuan dosjet.
Sulmet e Kryeministrit ndaj prokurorëve tregojnë dështimin e reformës në drejtësi. Qëllimi i saj ishte që prokurorët të nxirrnin përpara drejtësisë politikanët e korruptuar dhe kriminelët, por reforma ka përfunduar në një mjet sulmi, që përdoret nga kryeministri kundrejt prokurorëve.