Rama: Meta ka humbur busullën, anëtarët e GJK i zgjodhëm në konsultim me ndërkombëtarët

Nga Stafi i Exit
Rama: Meta ka humbur busullën, anëtarët e GJK i zgjodhëm në konsultim me ndërkombëtarët

Kryeministri Edi Rama tha sot se zgjedhja e dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca ishte vendosur pas konsultimit me ndërkombëtarët. Sipas Zotit Rama Presidenti “ka probleme me drejtësinë” dhe “e ka humbur busullën” duke nënkuptuar raportet me BE dhe SHBA.

Gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku socialistët kanë kërkuar votimin e një tjetër rezolute kundër Presidentit, Kryeministri Rama e akuzoi atë se krijoi krizën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe se për këtë “ai duhet neutralizuar”.

“Besoj se komisioni për shkarkimin e Metës duhet ta konsiderojë seriozisht edhe paketën e rekomandimeve të kuvendit ashtu skinder në dritën e kësaj ngjarje të re, Kuvendi dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të ardhur dhe për të votuar neutralizimin e akteve të presidentit e akteve antikushtetuese dhe anti ligjore.”

Kryeministri tha se zgjedhjen e dy anëtareve Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji e bënë pas konsultimeve direkte me ndërkombëtarët:

“Për të gjithë ata që e ndjekin këtë episod të ri të përplasjes së Ilir Metës me drejtësinë, dua të them se përpara se ne të vendosnim për të zgjedhur dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë të mirëqënë hyrjen e anëtares tjetër për shkak të mos zgjedhjes në kohë (nga Meta), jemi dakordësuar 100% me aleatët strategjikë dhe i jemi referuar 100% opinioneve të dhëna nga ekspertët e tyre.”

Zoti Rama tha se Presidenti nuk i kupton aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë:

“Jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe nga institucioni i Presidentit sulmon nga të katërta anët duke qenë ne këtu 100% në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE. Është e lehtë të kuptohet se pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kupton dy aleatët e Shqipërisë duke na vënë të gjithëve në pozitë jo komode dhe të turpshme.”

Të enjten Presidenti thirri për t’u betuar si anëtare të Gjykatës Kushtetuese Elsa Toskën, Fiona Papajorgjin dhe Marsida Xhaferrllarin. Çështja e emërimeve u kthye në përplasje institucionale pasi Kuvendi pretendon se Arta Vorpsi është zgjedhur automatikisht si anëtare pas mos-shprehjes brenda afateve të Presidentit për kandidaturat.

Ky pretendim është hedhur poshtë nga Presidenti Meta duke këmbëngulur se Kushtetuta nuk i dikton kohë për zgjedhjen e kandidatëve kur Gjykata Kushtetuese po riformohet. Për rrjedhojë në vend të Vorpsit ai dekretoi emërimin e Marsida Xhaferllarit. Të dyja u paraqitën sot në mjediset e Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar postin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>