Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, të shoqëruar nga disa ministra e krerë të grupeve parlametare, u takuan sot për rreth dy orë. Pas takimit të sotëm, Ministri i Ekonomisë u shpreh për mediat se ishte folur për reformat ekonomike që do të kryhen nga mazhoranca gjatë vitit 2016, pa dhëne detaje të tjera.
Takime të këtij lloji janë kryer sa herë që në media janë publikuar akuza për skandale korrupsioni të ministrave të qeverisë Rama apo ndaj kryetarit të kuvendit Ilir Meta. Ky është i treti takim i këtij lloji në këto tre muaj.
Takimi i parë i krerëve të mazhorancës u krye rreth një muaj më parë, pak ditë pasi në media u publikuar akuza për një skandal korrupsioni me kompanitë CEZ-DIA për të cilën akuzohej kryetari i Kuvendit Ilir Meta.
Takimi i sotëm vjen pasi një natë më parë, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, u publikua një intervistë e dytë e ish-oficerit të antidrogës Dritan Zagani, i cili akuzon ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për përfshirje në trafikun e drogës.
Duket se krerët e mazhorancës i organizojnë këto takime në përpjekje për të dhënë imazhin në publik se koalicioni qeveritar po funksionon mirë dhe për të shmangur vëmendjen e mediave nga skandalet korruptive që po shfaqen dita ditës për zyrtarët e lartë të PS-së dhe LSI-së, nga nivelet e më të larta që janë ministrat e deri tek drejtoritë e rëndësishme.