Kryeministri Edi Rama bisedoi, dje në mbrëmje, me gazetarin Roland Qafoku në studion e emisionit “Debati” në Channel One.
Temat kryesore të intervistës ishin trafiku i drogës, emigracioni i lartë, ekonominë, si dhe premtimet e pa mbajtura nga Qeveria Rama.
Megjithëse droga e kapur muajin e fundit arrin në shifra rekord, Kryeministri Rama mohoi rritjen e kriminalitetit dhe trafikut të drogës në Shqipëri, duke deklaruar:
“Nuk ka më shans që Shqipëria të jetë vendi ku mbillet kanabis.”
Disa nga pikat kryesore të intervistës janë:
Për drogën dhe krimin
– Në 2017 kanabisi është fshirë nga harta e Shqipërisë dhe mbjelljet kanë qënë minimale.
– Nuk ka më shans që Shqipëria të jetë vendi ku mbillet kanabis .
– Kemi fituar luftën kundër kultivimit të kanabisit.
– Në Shqipëri ka krim të organizuar, por jo mafje.
– Në 4 vite të qeverisë sonë,u luftua kanabisi për herë të parë.
– Nuk ishim plotësisht të përgatitur për të përballuar reagimin pas ndërhyrjes në Lazarat në 2013.
– Raporti i OKB i cili e rendit Shqipërinë në vendin e parë në botë për përdorimin e kokainës për frymë, është idiotësi.
Për emigracionin
– Emigracioni është një fazë historike, të cilën nuk e konsideroj aspak një tragjedi apo dramë.
– Shqipëria nuk rrezikon të shuhet apo të zbrazet.
Për premtimet e pambajtura
– Nuk kam thënë asnjëherë që do zhduk krimin në familje.
– Nuk kam thënë asnjëherë që do shkarkoj çdo ministër dhe zyrtar që përflitet.
– Jemi në përputhje me çdo objektiv të vendosur paraprakisht për 100 ditët e para të qeverisjes dhe pastaj të 300 ditëve.
– Qytetarët do të ndiejnë lehtësim dhe ndryshim në marrjen në kohë të arsyeshme të përgjigjeve në zyrat e shtetit lidhur me të drejtat e tyre.
Për ekonominë
– Kam besim që investimet e huaja këtë vit do tejkalojnë shifrat e arritura me TAP-in.
– Ekonomia shqiptare është rritur 4-fish më shumë se 4 vite më parë.