Pas protestave të shoqatës së transporteve, Kryeministri Rama lajmëroi masat e marra në mbështetje të këtij biznesi, një nga më të prekurit nga kriza e koronavirusit.
Kryeministri njofton se kompanitë e transportit urban nuk do të lejohen të rrisin çmimin e biletës. Qeveria do t’i njohë si shpenzim të zbritshëm kompanive të transportit naftë e përdorur. Si dhe ato nuk do të paguajnë taksa dhe tarifa vendore deri më 31 dhjetor 2020. Ai lajmëroi se me 1 janar 2021 do të nis përdorimi i biletës elektronike.
Më 8 qershor, shoqatat e transportit urban protestuan përpara Ministrisë së Infrastrukturës. Përfaqësuesit e kompanive te autobuzave thanë se nuk ishin njoftuar për rregullat e reja që do të ndiqnin pasagjerët.
“Shfrytëzimi i kapacitet 70% siç e ka ky njoftim bie në kontradiktë me respektimin e distancës së sigurisë. Sepse të mbash në një autobus të kryeqytetit 70 persona dhe njëkohësisht të respektosh edhe distancën ne na duket e pamundur. Të respektosh distancën në autobus do të thotë që është e pamundur që të kesh edhe fatorino”, u shpreh Rixhin Qoshja, kryetar i shoqatës së transporti urban.
Përfaqësues të shoqatës kërkuan edhe uljen e TVSH-së për biletën, njohjen e naftës së konsumuar si shpenzim i zbritshëm dhe subvencion me 30 për qind.