Kryeministri Rama e quan të “pashpjegueshëm” faktin që Shqipëria është bllokuar në procesin e integrimit europian nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut megjithëse në qershor u shpreh se dy vendet duhet të “ecin bashkë” drejt BE-së.
“Ata ende nuk e kanë mbajtur “premtimin” e tyre për shkak të problemeve të tyre dhe sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut. Kështu, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, Shqipërisë gjithashtu i duhet të presë që Bullgaria të heqë veton kundër Shkupit”, ka deklaruar Rama në një intervistë për ANSA.
BE vendosi të mos miratojë korrnizën negociuese me Shqipërinë, pavarësisht përmbushjes së kushteve, për të mos e ndarë atë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo e fundit e bllokuar nga Bullgaria, në procesin e integrimit europian.
Vetë Rama në qershor mbështeti idenë që dy vendet të mos ndahen gjatë një vizite në Bullgari para se të merrej vendimi për negociatat.
Rama u shpreh pro dialogut të qeverisë bullgare dhe asaj maqedonase ndërsa nënvizoi faktin se Shqipëria do të ecë së bashku me Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit në BE, duke nënkuptuar kështu dëshirën që vendet të mos ndahen në rast se Shkupi bllokohet sërish me veto nga Sofia.
Bullgaria vendosi sërish veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli i Bashkimit Europian vendosi të mos miratojë korrnizën negociuese as me Shqipërinë, në përpjekje për të mos ndarë dy vendet në këtë proces.
Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë që gjuha maqedonase është një dialekt perëndimor i gjuhës bullgare. Dy vendet kanë pretendime mbi përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të vetat.