Kryeministri Rama njeh si të vetmin dështim të qeverisë së tij në dy vite, ndarjen e lejeve të legalizimit gjatë fushatës elektorale. Në një intervistë në Top Story, kryeministri kundërshtoi kritikat për dështime të qeverisë në ekonomi, shëndetësi e arsim, duke theksuar se reformat e ndërmarra nga qeveria janë të suksesshme. Ai tha se mund të konsiderohet dështim nisja me vonesë e aksionit për energjinë elektorike.
“Kam bërë një gabim që operacionin e energjisë kam hezituar t’a filloj më përpara. Nuk është një gabim i vogël, duhet t’a kishim filluar më përpara. Vlerësimi i bërë ka qenë një vlerësim për të qenë të kujdesshëm dhe nuk ka qenë një vlerësim i duhur. Në fakt, po ta llogarisim se çfarë do të kishim fituar, i bie të mos jetë një gabim i vogël”, tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë ka refuzuar të flasë për akuzat e shumta për korrupsion që i adresohen ministrave të tij, duke i cilësuar si akuza të frymëzuara nga opozita.
Përballë këtij qëndrimi kokëfortë të kryeministrit janë me dhjetra raste të denoncimit të korrupsionit të qeverisë, me dokumente zyrtare të referuara nga institucionet shtetërore. Një ndër rastet e denoncuara vetëm një ditë më parë në media ishte rasti i Ministrisë së Shëndetësisë, e cila shpalli fituese të tenderit të ilaçeve me vlerë 500 milion lekë, kompanisë Omega Pharma, pronari i së cilës është nën arrest për korrupsion me rimbursimin e ilaçeve.