Kryeministri Edi Rama nënkuptoi sot se nuk do ta largojë Damian Gjiknurin nga posti i bashkëkryetarit të Komisionit për reformën zgjedhore duke iu përgjigjur negativisht kushteve të vendosura nga opozita për hyrjen në diskutime. Ai madje propozoi që për reformën si fillim të diskutoheshin rekomandimet e OSBE-së më pas për sistemin zgjedhor.
Kryeministri Rama e nënkuptoi moslargimin e Gjiknurit nga komisioni teksa replikoi me deputetët e opozitës në parlament:
“Tek reforma zgjedhore dëgjoj europianin këtu (opozitën) që thotë do t’i bëjmë të gjitha njëherësh. Si t’i bëjmë të gjitha njëherësh?! Do të presim ne që të bieni dakord me ne?! Se doni ju të ndryshoni sistemin dhe ne duhet ta ndryshojë sistemin, se përndryshe nuk u bëka kjo punë, dhe ndërkohë do të presë Shqipëria, derisa ju të jeni në gjëndje që kur të vijnë ata të mos ikni me vrap nga komisioni, apo ata të jenë në gjëndje të vijnë në komision pa pritur, që të ikë Damian Gjiknuri, për çfarë?! Për t’u ulur në tryezë me Këshillin Europian?! Ta harroni, ju dhe ata!”
Zoti Rama propozoi që si fillim të realizohen rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe më pas të diskutohen për ndryshimin e sistemit zgjedhor:
“Nëse vërtet e keni të ndarë Europën nga qeveria socialiste duhet urgjent bashkarisht të bëjmë reformën. Të ulemi e të marrim një nga një rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Ato nuk kanë nevojë as të merremi vesh ne, apo ju. Janë e zeza në të bardhë, merren e futen në ligj dhe me atë letër i thuhet Gjermanisë mike që është avokate e çeljes negociatave sot ne i kemi plotësuar të dy kushtet. Dhe pastaj flasim për sistemin.”
Rekomandimet e OSBE/ODIHR kanë qenë kryesisht për përmirësimin e procesit zgjedhor.
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore përbëhet nga 9 anëtarë: Ralf Gjoni, Korab Lita, Adriatik Alimadhi, Arben Elezi, Myslim Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, këta dy të fundit janë dhe në pozicionin e bashkëkryetarëve.
Damian Gjiknuri rezulton i përfshirë në përgjimet e bëra publike nga gazeta Bild rreth manipulimeve të procesit zgjedhor të vitit 2016 në Dibër.
Ditën e djeshme opozita bëri publike 5 kushte për të hyrë në diskutimet për reformën zgjedhore, ku një prej kushteve ishte që “askush nga personat e përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve të mos marrë pjesë në diskutimet e reformës”.