Kryeministri Rama vizitoi sot qytetin e Klosit të qarkut Dibër, ku zhvilloi një takim me fermerët e zonës.
I shqëruar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Zoti Rama theksoi rëndësinë e zbatimit sa më parë të reformës në drejtësi si kusht i domosdoshëm për rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Kryeministri Rama ftoi qytetarët si atë socialistë, ashtu dhe ata demokratë të votojnë Partinë Socialiste:
“Demokratët këtë herë na kanë një borxh se i shpëtuam Lulin dhe nderin e partisë. Tashi ata duhet të na ndihmojnë të shpëtojmë Shqipërinë nga Luli dhe partia.”
Zoti Rama sqaroi sërish përpara qytetarëve marrëveshjen Rama-Basha dhe theksoi se tashmë opozita nuk mund të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Marrëveshja është shumë e qartë: kush do të humbasë do të përgëzojë fituesin, se nuk ka çfarë të thotë më: Jo mi vodhi votat. Futi gjithë ato njerëz në qeveri. I futi deri më datën 25 qershor, më datën 26 nëse ne jemi forcë e parë, ata ikin.”
Në qarkun e Dibrës, Partia Socialiste propozon për deputetë: ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, Almira Xhebullën, Halit Palamanin, Myfit Duriçin, Naim Asllanin dhe Lindita Takon. Në zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste fitoi dy mandate në këtë qark.