Kryeministri Rama ndodhet sot në Turqi për të takuar Presidentin turk Erdogan dhe për të marrë pjesë në një konferencë investitorësh nga 57 vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. “Konferenca e nivelit të lartë për investime publike dhe private” mbahet sot dhe nesër në Stamboll.
Takimi qe njoftuar gjatë kësaj jave nga Kryeministri dhe është cilësuar si mundësi mbështetjeje për programin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit në Shqipëri.
Zoti Rama e lajmëroi takimin me Presidentin turk përmes një postimi në Facebook.
Pas tërmetit të 26 Nëntorit, Erdogan i kërkoi Organizatë së Bashkëpunimit Islam që ta ndihmonin Shqipërinë, ndërsa si përfaqësues i shtetit turk premtoi ndërtimin e 500 apartamenteve.
Në mbledhjen e qeverisë gjatë javës, Kryeministri pati thënë:
“Me Erdoganin do të jemi të dielën me konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, të besimit mysliman. Po vijojmë edhe në drejtim të vendeve të tjera të rajonit lindor. Do të kemi një mbështetje të konsiderueshme në raport me nevojën.”