Kryeministri Rama zhvilloi takimin e radhës elektoral të shtunën në Gjirokastër nga ku kërkoi të ishte kryeministri i të gjithë shqiptarëve ndërsa sulmoi opozitën duke e krahasuar me të shkuarën.
Rama tha se përderisa Shqipëria nuk u gjunjëzua nga tërmeti dhe pandemia atëherë “ne nuk ka asgjë që na pengon së bashku për të arritur majën”.
Kryeministri paralajmëroi ‘breshër votash’ në kutitë e votimit për PS-në i cili do të sjellë “fundin e këtij shiu për të na lënë barrën e madhe të përgjegjësisë që diellin e bukur të Shqipërisë ta bëjmë të ngrohë çdo shtëpi shqiptare, kudo”.
Duke iu referuar qarkut të Gjirokastrës, Rama deklaroi se Përmeti është zhvilluar gjatë viteve të fundit dhe është kthyer në një qytet ku mund të gjesh çdo gjë përveç detit. Të njejtën gjë ai tha edhe për Tepelenën e cila sipas tij “nuk është xhep, që i kalonim anash por është udhëkryqi ku kalojnë rrugët që të çojnë në bregun e Jonit, që të çojnë në Gjirokastër dhe në Korçë, shumë shpejt”.
“Shqipëria është gati të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, në energji, edhe në shoqërinë dixhitale. Të gjitha janë kantiere të hapura. Edhe Porti Turistik i Shëngjinit do të nisë punën pas shumë vitesh. Do hapim katër porta të reja nga deti dhe nga qielli. Në Tiranë, do bëjmë terminalin e ri dhe pistën e re. Janë tetë porta, që do shumëfishojnë të ardhurat nga turizmi”, u shpreh Rama.
Kryeministri vijoi sulmin ndaj opozitës duke thënë që po votove për 6 ose 9 (numrat e LSI dhe PD në fletën e votimit) “të mori djalli”.
Për kreun e opozitës, Rama tha se është duke premtuar gjëra që nuk mund të arrihen dhe shtoi se opozita synon të marrë pushtetin për të marrë “doganat, tatimet, drejtoritë e shëndetësisë, kudo plaçkën e humbur që hap pas hapi ne po ia kthejmë Shqipërinë”.