Kryeministri Edi Rama deklaroi se qytetarëve shqiptarë nuk po ju bëhet asnjë lloj padrejtësie dhe diskriminimi pasi ky regjim është për të gjithë qytetarët nga cilido vend i botës të jenë.
Në një reagim në Facebook, Rama shkruan se kolapsi është krijuar për shkak të masave të reja që do hyjnë në fuqi javën tjetër në Greqi. Sipas tij shteti shqiptar nuk mund të ndërhyjë në këtë procedurë pasi janë rregulla të vendosura nga shteti grek dhe të detyrueshme për të gjithë.
“E kam ndjekur orë pas ore situatën e rënduar tejmase në doganën e Kakavisë .Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj.
Çfarë mund të bëjmë ne, qeveria dhe shteti shqiptar në këto kushte, kur e përsëris, ky është një rregull i përgjithshëm i shtetit grek, që prek edhe vetë grekët që kthehen në Greqi! Faktikisht në radhën kilometrike të Kakavisë – ku shumica dërmuese e qytetarëve janë rezidentë në Greqi, taksapagues të rregullt të shtetit grek – ka edhe disa grekë, që njësoj si gjithë të tjerët kanë rendur të kthehen për t’i shpëtuar karantinimit që hyn në fuqi në 16 gusht.”
Rama pohoi se është në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt situatës, duke theksuar se Shqipëria nuk do t’i rikthehet masave për karantimin e detyrueshëm.
Në përfundim Rama i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit