Rama nuk tërhiqet nga paketa anti-shpifje

Nga Exit News
Rama nuk tërhiqet nga paketa anti-shpifje

Qeveria Rama nuk do të tërhiqet nga ligji për median, e ashtuquajtur paketa anti-shpifje, pavarësisht kundërshtimeve të BE-së ndaj saj. Kryeministri Rama në një intervistë për gazetarin Enkel Demi në Abc Neës tha se:

“Ligji antishpifje ka lidhje pak ose aspak më atë që ëshët thënë në media. Do vazhdojmë me atë ligj, patjetër”.

Por pavarësisht vendimit të qeverisë për të shtyrë votimin, një nga dy ligjet e ndryshuara sipas paketës anti-shpifje, ai për AKEP-in, u botua më 3 shkurt në Fletoren Zyrtare duke e bërë të paqartë punën e autoriteteve në një kohë kur nisma është dërguar në Komisionin e Venecias për t’u shqyrtuar nëse shkel apo jo lirinë e shprehjes. Ligji hyri në fuqi më 18 shkurt.

Paketa anti-shpifje përfshin ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” (AMA) dhe 4 neneve të ligjit për “për komunikimet elektronike” (AKEP).

Ndryshimet u miratuan në 18 dhjetor 2019, por u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti në janar me argument kryesor se ato cenonjnë lirinë e shprehjes.

Pasi këmbënguli se do t’i rimiratonte pa i ndryshuar, më 30 janar, qeveria tha se u tërhoq nga rivotimi i nismës me argumentin se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias, kërkuar nga Këshilli i Evropës më 23 janar.

Ndërsa më 3 shkurt, dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, dërgoi në Komisionin e Venecias rishikimet e bëra nga OSBE në paketën “anti-shpifje” për një opinion ligjor.

Komisioni i Venecias më 11 shkurt 2020 erdhi në Tiranë për të mbledhur fakte lidhur me paketën ligjore anti-shpifje të qeverisë, dhe më 20 mars pritej të jepte opinioni ligjor për paketnë ligjore, por për shkak të pandemisë ende nuk ka një përgjigje nga Komisioni.

Ligj i miratuar i AKEP, i jep kompetenca këtij institucioni të ekzekutojë vendimet e marra nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

AKEP është autoriteti përgjegjës që administron adresat elektronike (domain-et) dhe sipas ndryshimeve ligjore – Neni 3 dhe Neni 4 – mund të detyrojë kompanitë që shërbejnë qasje në internet bllokimin e aksesit nëse vendos kështu AMA. Gjithashtu AKEP mund të gjobisë deri në 8,000 euro (1 milionë lekë) mediat që nuk i zbatojnë vendimet e AMA-s.

Paketa ligjore është kundërshtuar gjerësisht nga BE, KiE, OSBE, gazetarët, organizatat lokale dhe ndërkombëtare të medias dhe eurodeputetë, pavarësisht pretendimeve të qeverisë se propozimet janë konsultuar me OSBE-në.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>