Rama, “One man show”

Nga Gent Shehu
Rama, “One man show”

Rama ka filluar një seri spektaklesh “One man show”, shoqëruar nga fjalime të stilit monodramë.

Me LED dhe teknikë që artistët e performancave i shohin me zili. Një show i denjë për t’u ngrënë rrotë më rrotë me spektaklet e televizioneve të mëdha…

Vetëm se ky show paguhet nga taksat tona.

Bota është në kulm të pandemisë. Burimet financiare janë të domosdoshme.

Cfarë bën Rama? I merr paratë e buxhetit dhe bën show.

Këto para mund të rimbursonin ilaçe për shqiptarët që kanë shpenzuar çdo qindarkë për ta përballuar vetë sëmundjen; mund të ishin bonuse për mjekët e infermierët; mund të ishin investuar në një tjetër spital a qendër shëndetësore.

Por jo! Për fatin tonë të keq, kryeministri edhe këtë herë u kujdes që të pikturojë me ngjyra një realitet që në thelb është kalbur, me pretendimin e vjetër se ngjyrat i shpëtojnë shqiptarët nga depresioni. Njësoj si të kurosh kolerën me çaj rigoni.

Natyrisht që shpërdorimi i parave të buxhetit për spektakle pas tërmetit e pandemisë është diçka e rëndë, po akoma më e rëndë është moskokëçarja dhe arroganca që shpalos kjo dukje e bukur para njerëzve.

Para këtyre njerëzve që jetojnë ende në çadra, në godina të tronditura nga tërmeti ose në shtëpi të kthyera në pavione spitalesh.

A na duhet vërtet një qeveri kaq “e bukur”?

Një qeveri normale, që bën çmos të shpëtojë sa më shumë jetë njerëzish në pikun e Covidit nuk ka kohë të duket bukur, as të dalë në TV duke bërë vara-vingo në Rinas. Lere pastaj, të bëjë monologje me paratë e qytetarëve që po i humb përditë.

Shikoni fjalimet e udhëheqësve të mëdhenj në çaste kritike për kombin e tyre.

Shikoni dhe spektaklin e Ramës që u drejtohet shqiptarëve sikur të jenë injorantë e të paditur.

Ai u flet njerëzve për gjëra të mëdha që këta nuk i paskan parë, paçka se është qeverisja e mirë e vendit ajo për të cilën shqiptarët patën nevojë më shumë se kurrë gjatë vitit të fundit.

Zoti Rama vazhdon të bëjë ç’i do qejfi me paratë që duhet t’u shërbenin shqiptarëve. Madje, na thotë se jemi ne ata mosmirënjohësit, që s’e paskemi kuptuar parajsën tokësore që na ka sjellë në Shqipëri.

Vetëm se drejtësia,  shëndetësia e rindërtimi që na prezanton Rama, në brendësi të tyre nuk ndryshojnë aspak nga pallatet që lyente dikur.  Kalbjen e tyre ne vazhdojmë ta jetojmë përditë.

Si ta fyesh një shqiptar?!

Mjafton të bësh një “one man show” spektakolar, para syve të atij që lufton për mbijetesën e familjes së tij.

Dhe Zoti Rama këtu shkëlqen më mirë se kushdo, si për show-n, si për fyerjen.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme