Ndërsa e kritikoi për politikën e zgjerimit dhe se ka “kyçur” Kosovën, Kryeministri Rama kërkoi nga Bashkimi Europian më shumë investime në Ballkanin Perëndimor, të mbështesë Ballkanin e Hapur dhe të mbështesë vendet e rajonit në raste urgjencash.
Në samitin e BRDO Brijunit në Slloveni, Rama deklaroi para udhëheqsëve të vendeve anëtare të BE se “politika e re e zgjerimit duket sikur i bën jehonë politikës së vjetër të kufizimit”.
Rama akuzoi BE-në për mos çuarjen përpara të procesit të zgjerimit në BE pasi Shqipëria i ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave dhe shqiptarët janë populli më pro-europian në rajon.
Rama tha se ka humbur besimin se Bullgaria do të zhbllokojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe pyeti krerët e BE-së “Sa gjatë duhet të presë ende Shqipëria për ndezjen e dritës jeshile”.
Kërkesa kryesore ndaj BE ku kryeministri u zgjat më shumë ishte Ballkani Perëndimor të cilin e përkufizoi të frymëzuar nga Procesi i Berlinit.
“Ballkani i Hapur reflekton një nivel të ri pjekurie, që vendet e kanë fituar përmes Procesit të Berlinit”, tha Rama pa përmendur zotim për hapat e mëtejshëm që dikon ky proces.
Rama shprehu pakënaqësi që nuk ishte marrë mendimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në hartimin e deklaratës përfundimtare të samitit.