
Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor te Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik!
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në rrjetin social Twitter.
Ai theksoi se në këtë situatë “është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve!”
Kryeministri Rama zhvilloi mëngjesin e sotëm mbledhje qeverie, për shkak të gjendjes ku ndodhet vendi, pas tërmetit 6.4 ballë më 26 nëntor. Nga tërmeti 41 persona kanë humbur jetën ndërsa qindra janë të plagosur.