Rama paralajmëron “ristrukturim të qeverisë dhe administratës”

Rama paralajmëron “ristrukturim të qeverisë dhe administratës”

Gjatë një takimi me qytetarët në Vaqarr, Kryeministri Edi Rama  dje premtoi “ristrukturim të plotë të qeverisë dhe administratës”, për të cilën ai përdori metaforën “të çojmë tepsinë për skrap”.

“Tepsia që duhet çuar për skrap” është përdorur nga Kryeministri Rama si metaforë për punësimet partiake të Lëvizjes Socialsite për Integrim gjatë qeverisjes 4 vjeçare me PS. Fenomenin e “ndarjes së tepsisë së pushtetit” për të punësuar militantë në administratë, Zoti Rama e sulmoi shumë gjatë fushatës elektorale.

“Ristrukturimi i qeverisë do të shkojë paralelisht me një reformë shumë rrënjësore të administratës. Reformë që ne kemi diskutuar gjatë fushatës e për të cilën ju kam thënë se kjo bëhet vetëm nëse na e jepni ne timonin, pa na ulur të tjerët në prehër. Çuarja e tepsisë për skrap, e thënë ndryshe.

Pra, si do risistemohet e gjithë administrata shtetërore, që nga mënyra si është e strukturuar qeveria, që duhet të ndryshojë, tek mënyra si është e strukturuar e gjithë puna e deputetëve, që duhet të ndryshojë dhe tek mënyra si është strukturuar çdo mekanizëm, çdo strukturë, çdo zyrë, që duhet të ndryshojë,” u shpreh kryeministri.

Deri më tani Kryeministri Rama nuk ka dhënë detaje për “ristrukturimin” e qeverisë. Ai ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se do të bashkëqeverisë me qytetarët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>