Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën pas takimit me presidentin francez Emanuel Macron se ai nuk është personi i duhur për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë Serbi.
Pas takimit në një prononcim live nga Parisi, Rama u pyet nëse Macron i ka kërkuar atij që të ndërmjetësojë dialogun.
Rama tha se ai nuk mund të jetë ndërmjetës pasi është “palë që mbron interesat e Shqipërisë dhe Kosovës”.
Kryeministri tha se i takon Kosovës ta çojë përpara dialogun.
“Natyrisht me të gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë sot dhe nesër në Tiranë, natyrisht në momente të caktuara mund të kemi qasje të ndryshme si të arrijmë tek qëllimi, por qëllimi është absolutisht i njëjtë dhe unë jam palë”, deklaroi Rama.
Në Shkurt presidenti francez pati një takim me presidentin serb Aleksandër Vucic, ku tha se është e rëndësishme për të vijuar dialogun me fqinjët. Macron tha se Franca do të mbështes cilëndo zgjidhje që palët do të arrijnë: “Jam gati të mbështes cilëndo zgjedhje që do të arrijnë palët. Zgjidhja e pranuar nga të dyja do të jetë thelbësore për këtë çështje.”
Ai tha se do të bisedonte me kryeministrin që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.