
Kryeministri Edi Rama ironizoi marrëveshjen e firmosur nga PD dhe LSI te hënën.
Në një komunikim për gazetarët, Rama u shpreh se marrëveshja nuk ka vlerë përderisa të dyja partitë garojnë veç e veç.
“Sa i përket opozitës, është shumë e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjafton të shikojnë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është shumë i qartë, pse u firmos marrëveshja dje? Si mund të firmosin një marrëveshje paraelektorale dy parti që garojnë veç e veç?”
Të hënën PD dhe LSI firmosën një marrëveshje parazgjedhore, ku përcaktuan pikat kryesore të bashkëqeverisjes. Marrëveshja nuk është dorëzuar në KQZ dhe partitë do të garojnë më lista të ndara.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi të hënën se votat e PD dhe LSI -së do të llogariten bashke, në bazë të marrëveshjes së koalicionit.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Alfred Rrushaj , drejtuesi i fushatës zgjedhore të PD-së. Ai u shpreh se Kushtetuta i jep mandatin e kryeministrit koalicionit që ka më shumë mandate në Kuvend.