Një ditë pasi qeveria pranoi të strehojë 20 emigrantë nga Eritrea për të ndihmuar Italinë, Kryeministri Rama hodhi poshtë akuzat se ky vendim u mor për të siguruar mbështetje për të dhe qeverinë e tij.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Rama tha se nuk ka tregti me BE-në, e as me Italinë në shkëmbim të mbështetjes për hapjen e negociatave me BE-në.
“Nuk ka tregti me BE, por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre. Duhet të bënim diçka për ata persona që u kthyen në të burgosur. Italia ka bërë shumë për ne dhe për Evropën: por për një kohë të gjatë ajo është lënë vetëm”, u shpreh Rama.
Pyetjes nëse Shqipëria do të pranojë më shumë emigrantë në të ardhmen, kryeministri Rama nuk ju përgjigj drejtpërsëdrejti, por tha se “një gjë e tillë nuk do ta zgjidhte problemin”.
Gazetari e pyeti Ramën nëse ky vendim u mor për të rregulluar marrëdhënien me ministrin e brendshëm italian Salvini, i cili ishte kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Por Kryeministri Rama tha se “bëhet fjalë për jetë njerëzore”, ndaj nuk ka vend për shkëmbime nderesh politike.
Një ditë më parë, kur minisitri i brendshëm Salvini bëri publik lajmin se Shqipëria do të pranojë 20 emigrantë të paligjshëm nga Eritrea të bllokuar në anijen Diciotti, në brigjet e Italisë, shumë media shkruajtën se vendimi i qeverisë Rama ka prapavijë politike dhe ka për qëllim të rregullojë marrëdhëniet me Italinë, në shkëmbim të një vote pro në hapjen e negociatave me BE-në.
Kjo nuk do të ishte “ndihma” e parë që Kryeministri Rama i ofron vendeve të BE-së për të përballuar krizën e refugjatëve.
Më shumë mbi përpjekjet e manovrat e Kryeministrit Edi Rama për të siguruar mbështetje nga shtetet perëndimore mund të lexoni këtu.