Rama për pranimin e emigrantëve nga Eritrea: Nuk po bëjmë tregti nderesh me BE-në e Italinë

Rama për pranimin e emigrantëve nga Eritrea: Nuk po bëjmë tregti nderesh me BE-në e Italinë

Një ditë pasi qeveria pranoi të strehojë 20 emigrantë nga Eritrea për të ndihmuar Italinë, Kryeministri Rama hodhi poshtë akuzat se ky vendim u mor për të siguruar mbështetje për të dhe qeverinë e tij.

Në një intervistë për Corriere della Sera, Rama tha se nuk ka tregti me BE-në, e as me Italinë në shkëmbim të mbështetjes për hapjen e negociatave me BE-në.

“Nuk ka tregti me BE, por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre. Duhet të bënim diçka për ata persona që u kthyen në të burgosur. Italia ka bërë shumë për ne dhe për Evropën: por për një kohë të gjatë ajo është lënë vetëm”, u shpreh Rama.

Pyetjes nëse Shqipëria do të pranojë më shumë emigrantë në të ardhmen, kryeministri Rama nuk ju përgjigj drejtpërsëdrejti, por tha se “një gjë e tillë nuk do ta zgjidhte problemin”.

Gazetari e pyeti Ramën nëse ky vendim u mor për të rregulluar marrëdhënien me ministrin e brendshëm italian Salvini, i cili ishte kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Por Kryeministri Rama tha se “bëhet fjalë për jetë njerëzore”, ndaj nuk ka vend për shkëmbime nderesh politike.

Një ditë më parë, kur minisitri i brendshëm Salvini bëri publik lajmin se Shqipëria do të pranojë 20 emigrantë të paligjshëm nga Eritrea të bllokuar në anijen Diciotti, në brigjet e Italisë, shumë media shkruajtën se vendimi i qeverisë Rama ka prapavijë politike dhe ka për qëllim të rregullojë marrëdhëniet me Italinë, në shkëmbim të një vote pro në hapjen e negociatave me BE-në.

Kjo nuk do të ishte “ndihma” e parë që Kryeministri Rama i ofron vendeve të BE-së për të përballuar krizën e refugjatëve.

Më shumë mbi përpjekjet e manovrat e Kryeministrit Edi Rama për të siguruar mbështetje nga shtetet perëndimore mund të lexoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>