Sipas të dhënave të Urdhrit të Mjekut, gjatë vitit 2018 nga Shqipëria janë larguar 164 mjekë me përvojë, të kualifikuar e të përzgjedhur. Ndërkohë, nga Universiteti i Tiranës janë diplomuar vetëm 250 mjekë të rinj gjatë të njëjtit vit.
Po të llogarisim edhe të tjerë të dalë në pension, numri shkon në afro 250 mjekë specialistë të larguar nga sistemi dhe të zëvendësuar me 250 mjekë të rinj të paspecializuar dhe pa përvojë.
Ndërkohë që Kryeministri na garanton për sterilizimin e pajisjeve mjekësore si bisturitë, instrumentet kirurgjikale, uniformat dhe dorezat e mjekëve, ai nuk na ka thënë asgjë deri më tani për dorën e profesionistëve që kanë në dorë jetët tona.
Më të mirët prej tyre po na i merr gjermani.
Gjendja është akoma më e rëndë me infermierët. Kanë plasur gjithandej kurset e gjermanishtes, ku infermierët tanë, pas mbarimit të punës, shkojnë me një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar gjuhën që do t’u japë një të ardhme. Përsëritjet e mësimeve të gjuhës kryhen në korridoret e spitaleve, në orët e gjata kur të sëmurët qetësohen dhe infermierët tanë, me kufje në vesh dëgjojnë manualin e fjalorit mjekësor të gjermanishtes.
“Për pak ditë dhe ja, ia hodhëm ferrit shqiptar! 1500–2000 euro në muaj janë shumëfishi pagës këtu. Pastaj kushtet atje…” Infermierët humbasin në ëndërrime, derisa dikujt i vjen orari i ndërrimit të vigonit apo i gjilpërës. Një i afërm i të sëmurit vjen nga dhoma e tij dhe i kërkon ndihmë. Pas gjilpërës biseda vërtitet për Gjermaninë dhe të ardhmen atje. “Sa me fat jeni ju infermierët, – dëgjohet i afërmi i të sëmurit, – e keni gjet’ një zgjidhje!”
2000 infermierë kanë shkuar në Gjermani gjatë vitit 2018. Tmerr! Sipas Open Data, Shqipëria ka rreth 12 mijë infermierë në total, ose 4 infermierë për 1000 banorë. Gjermania na i merr 2000 më të mirat çdo vit. Edhe pjesa dërrmuese e atyre që mbeten, jetojnë me shpresën për të ikur sa më shpejt.
Kjo që po ndodh është e tmerrshme. Askush nuk thotë se si frenohet kjo prirje drejt vdekjes së ngadaltë, por të sigurtë. Si të mos mjaftonin ushqimet kancerogjene, ndotja e tmerrshme e ajrit e njëqind yçklat që jeta moderne na i sjell përditë, tani na shkurtohet jeta edhe nga mungesa e personelit mjekësor dhe nga aftësia e dyshimtë e atyre që ende nuk kanë mundur të largohen.
“Instrumentet mjekësore po sterilizohen,” – thotë Kryeministri. Po kush dreqin do t’i përdorë ato instrumente tashmë?